Sekuestrohet pasuria me vlerë 750 mijë euro në pronësi të Oltion Hasanit dhe motrrës së tij Irma Hasanit.
Sipas policisë, këto pasuri dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e 37-vjeçarit Hasani, të arrestuar në Angli për trafik droge.
Policia ka bërë me dije se janë sekuestruar 6 apartamente dhe 6 automjete.
“Në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurifiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u zhvillua operacioni policor i koduar "Immediate".
Në zbatim të këtij procedimi u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të paluajtshme e të luajtshme, në emër të shtetasve O. H., 37 vjeç, dhe I. H., 41 vjeç, konkretisht 6 apartamente dhe 6 automjete.
Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e kryer nga shtetasi O. H., i cili në vitin 2020 ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Britaninë e Madhe”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë Prokuroria e Tiranës bëri me dije se Hasani, e punësuar prej vitit 2011 në ‘Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare’, me një pagë bruto 61.000 lekë, nuk i justifikon blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme.
/rtsh.al/