Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka akuzuar SPAK se po i shërben propagandës së kryeministrit Edi Rama, duke u marrë me çështje qesharake hetimi dhe jo me zbulimin e vjedhje galoponte, që sipas tij, po bëhet nga qeveria.
Gjatë fjalës së tij jashtë Kuvendit së bashku me deputeten Elda Hoti, e cila u thirr në SPAK për parfumin e hedhur në seancat e mëparshme, Bardhi tha se Prokuroria e Posaçme duhet të merret me denoncimet e opozitës dhe jo të merren me “nuhatje nëse erdhi erë e keqe apo jo nga parfumi i hedhur në Kuvend”.
Bardhi akuzoi kreun e Policisë së Shtetit se është i lidhur me bandat e krimit të Elbasanit, ndërsa shtoi se policia e shtetit është e ndaluar me ligj të hyjë në Kuvend dhe se me problematikat e deputetëve aty merret Garda.
“Jam këtu së bashku me kolegen Elda Hoti, e cila si përfaqësuese e qytetarëve duhet të ishte në seancë, pro në mënyrë qesharake nga SPAK ishte thirrur atje sepse Elisa Spiropali kishte ndjerë një aromë të keqe. Kishte ardhur fillimisht ta nuhaste përfaqësi i bandës së Elbasanit, drejtori i Policisë së Shtetit Ilir Proga. Mbi bazën e nuhatjes së Progës, SPAK u morr me këtë çështje qesharake. Ne kemi paditur vjedhje miliona euro të kësaj qeverie dhe kemi 4 vite që nuk marrim përgjigje. Disa prokurorë janë në shërbim të Edi Ramës dhe i shërbejnë propagandës së tij, por të arrijnë deri në pikën që të bëhen qesharak për të harxhuar kohën e tyre të çmuar me çështje qesharake me nuhatjen e bandave të Elbasanit kjo vë në pikëpyetje të gjithë besimin te e gjithë trupa e prokurorëve. Polica nuk duhet të futej në ambientet e Kuvendit dhe SPAK duhet të ishte marrë me hetimin e kësaj çështje, por nuk është prioritet i saj. SPAK të hetojë çështjet galoponte të korrupsionit të kësaj qeverie dhe të mos humbas kohën me çështje qesharake. SPAK nuk vihet në lëvizje nga polica e shtetit kundër deputetëve por nga Garda. Nëse duan të bëjnë punën të thërrasin Belinda Ballukun dhe Erion Veliajn dhe të mos merren me nuhatje se nuk paguhen për këtë gjë”, tha Bardhi.
Deputetja demokrate Elda Hoti u paraqit këtë të enjte në SPAK për të sqaruar hedhjen e asaj që ajo e cilëson parfum gjatë seancës së 17 tetorit në sallën e parlamentit.
/rtsh.al/