Skuadra shqiptare e kërkim shpëtimit dhe ndihmës shëndetësore ka mbërritur në Turqi. Lajmin e dha në rrjetet sociale kryeministri shqiptar Edi Rama.
Skuadra, me mbi 50 specialistë, u nis të hënën me urgjencë nga Tirana për në Turqi, pas tërmetit katastrofik që goditi këtë vend mëngjesin e 6 shkurtit.
Ende nuk dihet se cila do të jetë zona ku ajo do të operojë. Fillimisht skuadra do të marri pjesë në operacionet e kërkim shpëtimit, e më pas në operacionet për përballimin e pasojave të kësaj ngjarje që po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha.
Shqipëria dhe Turqia kanë marrëdhënie mjaftë miqësore. Të dy vendet kanë ndihmuar njëri tjeterin në raste fatkeqësish. Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që goditi Shqipërinë, ekipet turke të shpëtimit ishin të parat që mbërritën në zonat e dëmtuara. Më pas presidenti turk Rexhep Taip Erdogan mori përsipër ndërtimin e 522 banesave në Laç, të cilat përfunduan brenda një viti.
/ rtsh.al /