RTSH 24 Live

Kulturë

Të drejtat e autorit, udhëzimi i ri i ministres Margariti për marrjen apo heqjen e licensave

10/06/2023

Të drejtat e autorit, udhëzimi i ri i ministres Margariti për marrjen apo heqjen e licensave

Ministrja e Kulturës Elva Margariti, nëpërmjet një udhëzimi, ka përcaktuar kritere dhe procedura të reja për marrjen e licensës për administrimin kolektiv të të drejtave të autorit, ripërtëritjen e licenës, pezullimin apo heqjen e saj.

Qëllimi i udhëzimit, që publikohet nga rtsh.al,  është që të përcaktojë kriteret dhe procedurat për marrjen dhe/ose ripërtëritjen e licencës nga Agjencitë e Administrimit Kolektiv (AAK).

Kriteret për marrjen e licencës si AAK

Për të kryer administrimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to, organizata jofitimprurëse, përveç sa është parashikuar në ligjin “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, do të duhet të plotësojnë edhe disa kritere të tjera kontratat e lidhura me mbajtësit e të drejtave, të cilët i kanë dhënë kompetencat e tyre të përfaqësimit për administrimin e të drejtave të tyre. Këto kontrata do të shoqërohen me lista të plota të titujve të veprave të cilat do të administrohen.

"Kërkesë tjetër është edhe dëshmia e shprehjes së vullnetit për përfaqësim reciprok me agjencitë e huaja, në gjuhën shqipe; ka kushte të përshtatshme dhe pajisje teknologjike për të kryer funksionet e saj; ka ekspertizë profesionale me një punonjës jurist dhe financier të dokumentuar me dokument punësimi, njohës i të paktën një gjuhe të huaj të vërtetuar me dëshminë përkatëse;

deklaron se ka përcaktuar rregulla për shpërndarjen dhe pagesën e shpërblimeve, në mënyrë të drejtë dhe transparente, bazuar në përdorimin e veprës së mbrojtur nga e drejta e autorit dhe objekteve të tjera të lidhura me to; deklaron se ka përcaktuar rregulla dhe ka mekanizma të mjaftueshëm për të monitoruar përdorimin të të drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to;

vërteton plotësimin e kritereve brenda 6 muajve nga marrja e licencës për kategorinë përkatëse të të drejtave të autorit ose të drejtave të tjera të lidhura me to”; dokumentacioni do të shoqërohet me listën e plotë të titujve të veprave të cilat do të administrohen, jo më shumë se 6 muaj nga marrja e licencës për kategorinë përkatëse të të drejtave të autorit ose të drejtave të tjera të lidhura me to; depoziton pagesën e tarifës për aplikim për licencim të organizatës si AAK, sipas akteve nënligjorë në fuqi që miratojnë këto tarifa.“- thuhet në udhëzim.  

Nga ana tjetër drejtori ekzekutiv i AAK-së duhet të plotësojë kriteret si që të jetë shtetas shqiptar; ka vendbanim në Republikën e Shqipërisë.

Kriteret për ripërtëritjen e licencës së AAK-ve

Për ripërtëritjen e licencës, për të kryer administrimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to, AAK-ja, përveç përmbushjes së të gjitha kushteve të mësipërme, duhet të provojë dhe përmbushjen e kritereve si:

  1. deklaron zbatimin e akteve në fuqi në lidhje me organizimin e brendshëm për sa i përket aktivitetit të Asamblesë së Përgjithshme; përzgjedhjes dhe/ose shkarkimit të organit ekzekutiv;
  2. mbikëqyrjes së administrimit ekonomikfinanciar të agjencisë;
  3. shqyrtimit të ankesave në lidhje me kryerjen e funksionit të agjencisë;
  4. zbatimit të rregullave ligjore në lidhje me shpenzimet administrative të agjencisë;
  5. zbatimit të dispozitave ligjore në lidhje me transparencën dhe informimin e mbajtësve të të drejtave, përdoruesve dhe publikut;
  6. zbatimin e dispozitave ligjore në lidhje me jo anëtarët e të njëjtës kategori.
  7. depoziton raportin dhe bilancin vjetor; c) vërteton së ka shlyer detyrimet për agjencitë simotra në kuadër të marrëveshjeve reciproke.

Procedura për aplikim për licencë apo ripërtëritje të saj.

Ministria përgjegjëse për të drejtën e autorit, njofton nëpërmjet thirrjes publike të gjithë subjektet që mund të kenë interes për pajisjen me licencë apo ripërtëritje të saj për kategorinë përkatëse për të drejtat e autorit apo të drejtave të tjera të lidhura me to.

Subjektet e interesuar dhe AAK-të paraqesin kërkesën për licencim apo ripërtëritje të saj, me dokumentacionin e mëposhtëm: a) kërkesë për shprehje interesi; b) formularin e aplikimit sipas formatit të miratuar, bashkëlidhur këtij udhëzimi; c) dokumentacionin shoqërues, i cili vërteton përmbushjen e të gjitha kritereve të përcaktuara në ligj.

Afati për depozitimin e kërkesave dhe plotësimin e plotë të dosjes së aplikimit për licencim ose ripërtëritjen e saj është 30 ditë kalendarike nga data e publikimit të thirrjes në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për të drejtën e autorit.

Kushtet dhe procedura për pezullimin e licencës së AAK-së

Licenca e një AAK-je pezullohet në rastet kur konstatohen përsëritje e shkeljeve. Në rast se Drejtoria për të Drejtën e Autorit (DDA), konstaton shkelje të përsëritura i propozon Ministrit përgjegjës për të drejtën e autorit fillimin e procedurës për pezullim licence.

Ministri përgjegjës për të drejtën e autorit ngre menjëherë grupin e punës për zhvillimin e procedurës administrative për pezullimin ose jo të licencës. Në rast mos licencimi apo mos ripërtëritje të licencës, kërkuesi ka të drejtën e ankimit.

AAK-së së cilës i është pezulluar apo hequr e drejta për të ushtruar veprimtari të administrimit kolektiv, ka të drejtën e ankimit. Ankimi në gjykatë nuk pezullon aktin administrativ, përveç kur vendoset ndryshe nga gjykata.

/rtsh.al/ a.meta/