RTSH 24 Live

Aktualitet

Të akuzuar për spiunazh, lirohen dy rusët dhe ukrainasit! Dy prej tyreve u merren pasaportat

25/05/2023

Të akuzuar për spiunazh, lirohen dy rusët dhe ukrainasit! Dy prej tyreve u merren pasaportat

Gjykata e Elbasanit ka lënë të lirë dy rusët dhe ukrainasin që u dyshuan për spiunazh teksa u kapën në uzinën e armëve në Gramsh, 9 muaj pas arrestimit të tyre. 2 rusët Mikhail Zorin dhe Zvetlana Timofeeva si dhe ukrainasi Fedis Alpatov, sulmuan me spraj kimik 2 ushtarët shqiptarë në uzinën e armëve në Gramsh, si dhe fotografuan objektin ushtarak.

Gjykata vendosi që shtetasi rus Mikhail Zorin të lihet në “arrest shtëpie”, ndërsa rusja Svetlana Timofevaa dhe ukrainasi Fedir Alpatov, do të jenë të lirë, por prokuroria ka urdhëruar bllokimin e pasaportave të tyre.

Shkak për lirimin e tyre është bërë mbarimi i afateve të paraburgimit, ndërkohë që prokurorisë nuk I ka mbërritur ende ekspertiza që lidhet me pajisjet fotografuese dhe ato të vëzhgimit me të cilat u ndaluan pranë uzinës së Gramshit në gusht 2022.

Kujtojmë se në makinën me targa ukrainase, që po përdorej prej tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri u gjetën 2 dronë, 4 celularë, 1 laptop, 1 kamer, karta memorie, 3 pasaporta, 2 aparate fotografikë, harta, të cilat u sekuestruan nga policia.

Materialet e gjetura, treguan se të dyshuarit për spiunazh gjatë qëndrimit në Shqipëri, kanë fotografuar dhe filmuar objekte të rëndësisë së veçantë si Reparti Special i Policisë, RENEA, ujëmbledhësi i Bovillës, repartet ushtarake, rafineria e naftës në Patos apo digat e hidrocentraleve.

/Rtsh/