Duke vlerësuar kontributin e dhënë ndër vite nga piktori i njohur pogradecar Anastas Kostandini në përçimin e vlerave estetiko-kulturore të qytetit, përmes çeljes së ekspozitave dhe realizimit të punimeve të ndryshme në fushën e artit pamor, Bashkia Pogradec mundësoi realizimin e katalogut titulluar “Vizatime nga vendi i jetës” duke i bërë jehonë ekspozitës së çelur gjatë sezonit veror 2024.
“Katalogu përfshin vizatime që i kam bërë qytetit tim që nga viti 1966 dhe deri disa muaj më parë. Katalogu përfshin të gjitha vizatimet që unë kam bërë në një hark kohor prej 50 vitesh”, u shpreh piktori Anastas Kostandini.
Me mbi 70 vizatime, ekspozita dhe katalogu sjellin një pasqyrim artistik të Pogradecit, duke shpalosur evoluimin dhe bukurinë e tij përmes syve të Tasos. Vepra e tij eksploron jo vetëm natyrën dhe arkitekturën e qytetit, por edhe proceset psikologjike dhe shpirtërore që lidhen me të.
“Kam zgjedhur vizatimet e mia më përfaqësuese por që të kenë edhe kuptim popullor që njerëzit ti kuptojnë”, u shpreh piktori,
Përmes kësaj iniciative, Bashkia Pogradec jo vetëm që nderon një nga artistët më të rëndësishëm të saj, por gjithashtu ruan dhe promovon trashëgiminë artistike të qytetit. Katalogu mbetet një dëshmi e talentit dhe pasionit të Tasos për vendlindjen e tij.
Gazetare Elsa Xhindole
/rtsh.al/