Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se sulmet në veri të Kosovës tregojnë dëshpërimin e bandave që dirigjohen nga Beogradi.
Sveçla ka reaguar pas sulmit me granatë dore në Komunën e Zveçanit, ku tha se sulmet e ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri janë shprehje e dëshpërimit dhe qyqarllëkut të bandave kriminale me dirigjim nga Beogradi.
“Në kohën kur po çmontohen ditë e më shumë, dëshpërimisht duan të tregojnë se ende janë këtu dhe të fortë. Por, ne jemi më të vendosur se kurrë deri në eliminimin e plotë të secilës grimcë kriminale e terroriste në vendin tonë. E themi troç atë që kemi përsëritur përgjatë këtyrë katër viteve: Koha e pandëshkueshmërisë dhe amnistisë ndaj bandave kriminale ka përfunduar”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Më tej, ai tha se kushtetushmëria, ligjshmëria, rendi e ligji do të funksionojnë në çdo cep sikurse liria dhe të drejtat e qytetarëve nuk mund t’i ndalojë askush përmes frikës e terrorizimit.
/rtsh.al/