RTSH 24 Live

Kosovë

Sulmet në veri të Kosovës, Policia shton masat e sigurisë në gjithë vendin

29/11/2024

Sulmet në veri të Kosovës, Policia shton masat e sigurisë në gjithë vendin

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka shtuar masat e sigurisë, përfshirë veriun e vendit ku ditëve të fundit kanë ndodhur disa sulme prej grupeve serbe.

Përmes një njoftimi për media, Policia thotë se me planifikimet e parapara do të ketë shtim të aktiviteteve policore për të ofruar më shumë siguri në tërë vendin, për të gjithë qytetarët pa dallim.

Sipas Policisë, planifikimet operative policore do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në teren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët.

“Policia me anë të veprimeve operative dhe atyre inteligjente do të ketë synim që të ruajë rendin e qetësinë publike, të parandalojë aktet kriminale e të hetojë e vejë para drejtësisë të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues”, thuhet në njoftim

Qëllimi i operacioneve, Policia thotë se do të jetë siguria e qytetarëve, siguria e pronës së tyre e pronës publike dhe asaj institucionale.

Policia ka ftuar qytetarët për bashkëpunim në informacionet që vlejnë për rritjen e sigurisë në të gjithë vendin.

Duke pasur parasysh se ndihmë të madhe në realizimin e objektivave policore për më shumë siguri në vend, ka edhe bashkëpunimi me qytetarë, policia duke falënderuar për bashkëpunimin e deritashëm, fton qyfterët që edhe tani e tutje të ndajnë me ne informacione që shkojnë në drejtim të rritjes së sigurisë për të gjithë pa dallim”, thuhet tutje në njoftim.

/rtsh.al/