Irani lëshoi gati 200 raketa mbi Izrael, duke përshkallëzuar rëndë situatën mes dy vendeve. Në një lidhje për emisionin “3D”, eksperti i sigurisë, Adrian Shtuni paralajmëroi se ky përshkallëzim mund të çojë në një luftë rajonale.
“Kam frikë se mund të çojë në shpërthimi ne një lufte rajonale në shkallë të gjerë. Kam frikë se përgjigjja e Izraelit këtë herë nuk do të jetë e përmbajtur dhe zëdhënësi i ushtrisë së Izraelit doli dhe tha se ky ishte një sulm serioz dhe se do të ketë pasoja të rënda për Iranin. Ky lloj sulmi i jep mundësinë Izraelit që të godasë strukturën bërthamore të Iranit dhe këtë herë mund të ketë një justifikim shumë të mirë për ta bërë”, tha ai.
Po ashtu, Shtuni theksoi se një tjetër rrezik është edhe përfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA në konflikt.
“Kjo situatë është e tillë që mund të tërheqë SHBA më drejtpërdrejtë në konflikt, gjë që është shumë shqetësuese. SHBA ka thënë që nuk dëshirojnë të përfshihen drejtpërdrejtë në këtë konflikt dhe kanë kërkuar që të gjente një mënyrë për ta shtensionuar situatën, por kërkesa duket se ka rënë në vesh të shurdhët dhe jemi në situatën që jemi. SHBA e paralajmëruan Iranin qartë ‘mos guxo’. Mbetet të shohim se çfarë peshe do të ketë ai kërcënim që është bërë”, tha eksperti i sigurisë.
/rtsh.al/