RTSH 24 Live

Aktualitet

Sulmet kibernetike/ Dumani: SPAK është sulmuar, por nuk është prekur

26/05/2023

Sulmet kibernetike/ Dumani: SPAK është sulmuar, por nuk është prekur

Kreu i SPAK Altin Dumani ka deklaruar në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut se Prokuroria e Posaçme ka qenë pre e sulmeve kibernetike, por nuk është prekur.

Dumani u shpreh se SPAK investon çdo vit në mbrojtjen kibernetike, duke mos lejuar asnjë sulm që të depërtojë në të dhënat e këtij institucioni.

SPAK jo se nuk është sulmuar, ka pasur tentativa por nuk është prekur. Është investuar në mbrojtjen e sistemit. Çdokush është i ekspozuar dhe i rrezikuar nga sulmet kibernetike, dhe agjenci prestigjioze të zbatimit të ligjit në botë janë sulmuar. Çdo institucion duhet të tregojë kujdes të veçantë.

Sistemi i mbrojtjes ishte i tillë që nuk i la të përparonin. Ne edhe në fondit që morëm nga pasuritë e konfiskuara parashikuam investim në rritjen e sigurisë kibernetike.

Ne do marrim masa, nëse investojmë çdo vit, fokusohemi në këtë drejtim dhe mundohemi të reduktojmë mundësinë për të na sulmuar”, tha Dumani, teksa raportoi në komision punën e bërë nga SPAK gjatë 2022.

/rtsh.al/