Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, në lidhje me hetimet për koncesionin e sterilizimit. Po ashtu, ish-ministrit i ndalohet edhe dalja jashtë shtetit.
Masat e sigurisë u dhanë nga GJKKO pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK”, ndërsa Beqaj akuzohet për shpërdorim detyre. Ish-ministri duhet të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte.
Në lidhje me koncesionin e sterilizimit, GJKKO la në burg më 4 tetor ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.
Hetimet për koncesionin e sterilizimit
Hetimet në lidhje me këtë koncesion kanë nisur që më 13 janar të vitit 2020.
E njohur si kontrata “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, ajo u firmos në dhjetor të vitit 2016 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe kompanisë koncesionare SaniService, për një afat 10-vjeçar.
Shërbimi llogaritej se do i kushtonte gjithsej 9.6 miliardë lekë buxhetit të shtetit dhe si ambient u vendos në dispozicion stacioni i sterilizimit në QSUT.
Kompania koncesionare ndahej mes disa aksionarëve nga Kosova dhe Italia, ku pala kosovare mbajti 40 për qind të aksioneve.
Në deklaratën e tij përballë Prokurorisë, ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, në cilësinë e kryetarit të kohës te Komisioni për Vlerësimin e Ofertave, tha se rinovimi i instrumenteve kirurgjikale e tejkalonte me dyfish zërin që Ministria e Shëndetësisë kishte në dispozicion për investime, prandaj “Skema PPP është më e favorshme për shkak të investimit fillestar të madh, që nuk përballohet nga shteti si dhe për shkak të marrjes së riskut totalisht nga privati.”
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një raport në vitin 2021 vuri në dukje: "Gjithashtu nga përpunimi i të dhënave të administruara për vitin 2021 konstatohet se për të njëjtën ndërhyrje kirurgjikale, të realizuar në të njëjtin spital apo spital tjetër, faturimi kryhet sipas kompleksiteteve të ndryshme, dhe për pasojë çmime të ndryshme. Në këtë kuadër, kanë rezultuar 21.174 raste, në të cilat është klasifikuar ndërhyrja kirurgjikale si kompleksiteti i mesëm dhe për të njëjtat ndërhyrje kirurgjikale, në disa raste është faturuar edhe si kompleksitet i lartë, si dhe janë 4.725 raste në të cilat është faturuar për kompleksitet të lartë, megjithëse të paktën një herë e njëjta ndërhyrje kirurgjikale është faturuar si kompleksitet i mesëm”.
Në 2021-in, audituesit gjetën se buxheti i shtetit ishte faturuar për shërbime të pakryera. Në 2018-ën, KLSH po ashtu raportoi se koncesionari faturoi rreth 17 milionë euro, nga afro 10 milion euro që ishin parashikuar në fillim të vitit.
Ndërkohë shërbimi para vitit 2015 ofrohej nga vetë spitalet shtetërore.
/rtsh.al/