RTSH 24 Live

Europë

Spanjë, rikthehen reshjet masive - Rajoni i Valencias dhe Ishujt Kanarie në alarm të kuq

13 orë para

Spanjë, rikthehen reshjet masive - Rajoni i Valencias dhe Ishujt Kanarie në alarm të kuq

Rajoni i Valencias, në lindje të Spanjës, dhe Ishujt Kanarie, në jugperëndim, kanë shpallur alarm për shkak të reshjeve të dendura. Në një deklaratë nga Qendra e Koordinimit të Emergjencave, të lidhur me qeverinë autonome të Valencias thuhet se në qytetet Castellon dhe Alicante kanë kaluar në alarmin e kuq për shkak të reshjeve të shumta.

Për pasojë, shumë rrugë dhe shkolla janë mbyllur dhe aktivitetet jashtë janë shtyrë.  Autoritetet kërkuan që qytetarët të shmangin udhëtimet nëse nuk janë të domosdoshme dhe të qëndrojnë larg shtretërve të lumenjve. Meteorologët njoftuan se në Castellon kanë rënë rreth 200 mililitra shi për metër katror. Drejtoria e Situatave Emergjente e Ishujve Kanarie njoftoi po ashtu se shumë zona të ishujve janë në gjendje emergjente për shkak të shiut të dendur.

Pamjet që qarkullojnë në media sociale tregojnë automjete të mbuluara nga uji, fusha bujqësore të përmbytura dhe rrugë pjesërisht të shembura në Castellon dhe Grand Canary. Meteorologët kanë njoftuar se reshjet do të dobësohen që nga dita e nesërme.  Kujtojmë që 29 tetor të vitit të shkuar, një përmbytje masive goditi Spanjën, veçanërisht rajonin e Valencias, ku humbën jetën 232 persona. Qeveria atje tha se do të alokojë rreth 14 miliardë euro për të ndihmuar viktimat dhe për rindërtimin e rajonit, ku 75 prej 78 qyteteve të prekura janë në Valencia.

/rtsh.al/