RTSH 24 Live

Aktualitet

SPAK mund të hetojë çështjen e 21 janarit, zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë

05/07/2024

SPAK mund të hetojë çështjen e 21 janarit, zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë

Është zbardhur vendimi i Gjykatës së Lartë, që ka vendosur që çështjen e 21 janarit ta hetojë SPAK-u.

Ne vendim e saj, Gjykata e Lartë rendit një sërë argumentesh pse ligjerisht SPAK duhet te pranojë procedimin penal për kallëzimin e bere nga Rajmonda Nika në 16 shkurt të vitit 2023.

Duke mbajtur parasysh konkluzionet e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të datës 14 Nëntor 2023, lidhur me zgjidhjen efektive dhe për forcën detyruese dhe ekzekutimin e vendimeve të kësaj Gjykate, edhe për këtë shkak, Kolegji konsideron se vendimet e gjykatave të posaçme duhet të ndryshohen, duke u urdhëruar Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të regjistruar procedimin penal, për kallëzimin e datës 16.02.2023, me qëllim kryerjen e hetimeve të mëtejshme, duke mbajtur në konsideratë edhe vendimmarrjen e mësipërme”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.

SPAK priste vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë për të regjistruar kallëzimin e Rajmonda Nikës, e cila kërkon që ish kryeministri Sali Berisha, ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi të hetohen si organizatorë të “21 janarit”.

Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikë,s trokiti një vit më parë në SPAK duke kërkuar angazhimin e prokurorëve të posaçëm, në një kohë që prej 13 vitesh vijojnë të pazbardhura dy vrasje, ajo e Nikës dhe e Hekuran Dedës.

Për 21 janarin drejtësia ka shpallur fajtor Ndrea Prendin dhe Agim Llupon si autorë të vrasjes së Ziver Veizit dhe Faik Myrtaj. Nga ana tjetër Strasburgu ka urdhëruar gjithashtu hetime të gjithanshme të “21 janarit”.

/rtsh.al/