Grupet e të drejtave të njeriut kanë denoncuar një ngjarje të rëndë, ku shihen burra gjysmë të zhveshur që ecin në temperatura të ulëta në kufirin me Serbinë
Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, videot që shfaqin grupe burrash gjymsë të zhveshur në temperatura të ulëta detyrohen të kthehen nga Serbia për në Maqedoninë e Veriut, janë dëshmi e përshkallëzimit të keqtrajtimit të emigrantëve në kufijtë evropianë.
Dy video të shfaqura për Guardian nga Legis, një OJQ e Maqedonisë së Veriut, tregojnë një grup burrash gjysmë të zhveshur duke ecur afër kufirit mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Legis thotë se videot janë filmuar nga një vendas në afërsi të fshatit Lojanë, afër kufirit me Serbinë, dhe i janë dorëzuar më 10 shkurt organizatës.
OJQ-ja pretendon se incidenti ishte i dyti nga dy kundërpërgjigjet abuzive dhe "degraduese" gjatë një periudhe 24-orëshe, kur pretendon se më shumë se 50 njerëz u detyruan të zhvisheshin lakuriq ose me vetëm të brendshme nga autoritetet serbe përpara se të ktheheshin me forcë në Maqedoninë e Veriut.
Legis thotë se stafi i saj lokal më vonë arriti të bisedojë me burrat, të cilët e identifikuan veten si sirianë. Jasmin Rexhepi, president i Legis, tha se kjo ngjarje është shqetësuese sidomos pas samitit mbi bashkëpunimin kufitar BE-Serbi, që synonte forcimin e kufirit serb kundër trafikut të qenieve njerëzore.
“Këto incidente ndodhin kur BE përgatit kufizime për emigrantët në rrugë, dhe në këtë rast vetëm disa ditë pas një samiti të bashkëpunimit kufitar BE-Serbi. Më pas shohim ndikimin dhe pasojat e drejtpërdrejta”, tha Rexhepi.
Megjithëse ka pasur raportime për raste të tilla edhe më parë, Rexhepi thotë se kjo është hera e parë që raportohet në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Rados Gjuroviç, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Mbrojtjen e Azilit në Serbi tha se stafi i saj kishte parë një rritje të numrit të kthimit emigrantëve nga Serbia në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i vitit.
“Mund të themi se tani është një praktikë e rregullt,” tha ai.
Dunja Mijatović, komisionere për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, tha se “raportet e fundit të supozimeve të kthimit nga oficerët e policisë serbe në kufirin me Maqedoninë e Veriut, të karakterizuara nga trajtimi i keq dhe degradues dhe grabitja e migrantëve, ndoshta duke përfshirë ata që përpiqen të kërkojnë azil, kërkojnë hetim të shpejtë dhe efektiv nga autoritetet shtetërore. Këto incidente nuk janë vetëm shqetësuese, por edhe tregues të një tendence më të gjerë, shqetësuese midis vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Këto veprime shkelin konventën evropiane për të drejtat e njeriut, e cila ndalon rikthimin dhe dëbimet kolektive, si dhe standarde të tjera ndërkombëtare që kërkojnë sigurimin e aksesit të vërtetë dhe efektiv në azil për ata që e kërkojnë atë.”
Mijatoviç tha se ky rast abuzimi është tregues i keqtrajtimit të njerëzve vulnerabël në kufijtë anembanë Evropës, duke e quajtur fenomenin e përhapur të kthimit të paligjshëm një “problem urgjent pan-evropian”.
“Ajo që kam vërejtur dhe paralajmëruar është se emigrantët i janë nënshtruar trajtimit që mund të përbëjë trajtim poshtërues ose torturë në disa vende evropiane për vite me radhë, duke shkelur qartë detyrimet e shteteve për të drejtat e njeriut,” tha ajo.
Një raport i OJQ-së belge, vlerësoi se më shumë se 346 mijë raste të rikthimit të emigrantëve në kufijtë e jashtëm të Evropës në vitin 2023, transmeton "The Guardian".
Rexhepi bëri thirrje për një hetim nga zyrat e Avokatit të Popullit të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, dhe që monitoruesit e të drejtave të njeriut të lejohen të vëzhgojnë operacionet e policisë, duke siguruar që dhuna dhe dehumanizimi të mos vazhdojnë në errësirë. Policia serbe nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
/rtsh.al/