Normalizohet situata në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, pas radhëve të gjata të krijuara një ditë më parë.
Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Korçë gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 2941 shtetas shqiptarë dhe të huaj në hyrje të Republikës së Shqipërisë dhe 3460 shtetas në dalje.
Ka qenë pikërisht fluksi i lartë i kthimit të emigrantëve në vendin fqinj ku jetojnë e punojnë, që ka shkaktuar radhë të gjata një ditë më parë, kryesisht në zonën neutrale në drejtim të Greqisë, ku mjetet janë vendosur edhe në tre korsi.
Kjo pasi pala greke ka punuar me sportele të reduktuara ndërsa policia jonë kufitare ka punuar me tre sportele në dalje.
Për të evituar radhët e gjata në kufi autoritetet tona kanë patur takime me homologet grekë të cilëve u kanë kërkuar shtimin e numrit të sporteleve por edhe të punojnë me procedurë të përshpejtuar për shtetasit shqiptarë që kanë dokumente greke.
Duket se një marrëveshje është arritur mes palëve, pasi ditën e sotme situata në kufi ka qenë normale. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se edhe në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës nuk janë regjistruar radhë e pritje të qytetarëve.
Gjatë 24 orëve të fundit në këtë pikë të kalimit kufitar që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut kanë kaluar 4966 shtetas në hyrje dhe 3619 shtetas në dalje.
Në të dyja këto pika autoritetet shqiptare janë të angazhuara ti shërbejnë sa më shpejt qytetarëve duke rritur numrin e sporteleve, në rast të paraqitjes së fluksit të lartë të kalimeve.
/rtsh.al/