Reshjet që ranë gjatë natës dhe paraditen e së mërkurës në pjesën më të madhe të territorit kanë shkaktuar probleme të izoluara nëpër Shqipëri dhe më shqetësuese në Durrës.
Si rezultat i reshjeve, qyteti bregdetar raportoi pasdite prani të ujit në disa pika, si tek kryqëzimi i Stadiumit, tek stacioni i trenit, në lagjen 17, në zonën e Kënetës dhe Shkozet, ku është vështirësuar lëvizja e këmbësorëve dhe mjeteve.
Uji depërtoi gjithashtu në oborret e disa shtëpive në zonën e njohur si "Ura e Dajlanit". Sipas qendrës operacionale të Emergjencave Civile, niveli i ujit në Kanalin e Ujërave të Larta në unazën e qytetit arriti një nivel kritik.
Po ashtu, pati prani të ujit edhe në sipërfaqet bujqësore në njësinë administrative Sukth.
Sipas informacioneve nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, të gjitha akset rrugore kombëtare janë të hapura dhe nuk paraqiten problematika në qarkullimin e automjeteve.
Nga raportimet e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në nivel vendor, të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale dhe nuk paraqesin asnjë rrezik.
Vijon angazhimi i Forcave të Armatosura me 7 trupa dhe 6 mjete në hidrovorin e qytetit të Vlorës. Aktualisht hidrovori punon me 3 pompa nga 4 të disponueshme.
Sipas raportimeve të OSSH-së, furnizimi me energji elektrike po bëhet rregullisht. Ka ndërprerje të përkohshme në disa abonentë për shkak të remonteve dhe defekteve, por po punohet nga grupet e OSHEE-së.
Sipas parashikimeve nga Instituti i Gjeoshkencave në orët në vazhdim priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër.
Në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë priten reshje mesatare, shoqëruar me shtrëngata.
Në pjesën tjetër të vendit priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare. Në Veri dhe Verilindje, në lartësitë mbi 900 m nga niveli i detit, priten reshje dëbore.
Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve për momente të shkurtra mund të krijojnë probleme të ndryshme, informuan si dhe vërshime të ujit në zonat urbane në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po vijon të ndjekë situatën, për të koordinuar forcat deri në normalizimin e situatës.
/rtsh.al/