RTSH 24 Live

Aktualitet

Siguria ushqimore - AKU në Korçë merr 7 masa administrative

10/11/2024

Siguria ushqimore - AKU në Korçë merr 7 masa administrative

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet në subjekte të ndryshme të Qarkut Korçë për të garantuar sigurinë ushqimore. Vetëm gjatë muajve të verës, janë kryer 661 inspektime në subjekte të ndryshme, ndërsa kanë hasur edhe shkelje të ligjit.

Nga ana e Autoritetit janë vendosur 20 masa paralajmëruese si dhe 7 gjoba për mungesë gjurmueshmërie dhe etiketimi. Drejtori i AKU Korçë Ervis Koçileri bën me dije se edhe për festat e nëntorit dhe ato të fundvitit, kontrollet do të intensifikohen duke qenë se Korça frekuentohet edhe nga turistë, për t’iu ofruar sigurinë maksimale në produktet që konsumohen.

“Ka pasur një punë intensive sa i përket punës së bërë nga ana jonë. AKU ka kryer monitorime në thertore edhe njësi të tregtimit të mishit, duke verifikuar certifikatat veterinare përkatëse. Ka pasur një rritje të marrjes së mostrave të produkteve me origjinë shtazore, bulmetrave dhe nënprodukteve të mishit janë analizuar. Janë marrë masat e nevojshme duke bllokuar sasitë që janë në kundërshtim me ligjin dhe mosdaljen e tij në treg”, u shpreh Koçileri.

Koçileri shton se në përgjithësi ka një sensibilizim të subjekteve për respektimin e ligjit. Kontrollet do të vijojnë të ushtrohen në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë që bizneset të operojnë konform ligjeve në fuqi si edhe për të siguruar konsumatorin mbi produktet që konsumojnë.

Gazetare: G. Sali        

/rtsh.al/