RTSH 24 Live

Aktualitet

Shqipëria shkon drejt një dozë të tretë të vaksinave anti Covid

19/10/2021

Shqipëria shkon drejt një dozë të tretë të vaksinave anti Covid

Shqipëria po shkon drejt një dozë të tretë të vaksinave anti Covid. Komiteti i Ekspertëve ka vendosur pro bërjes së dozës të tretë për një kategori të caktuar personash.

Anëtarja e komitetit, Gjeorgjina Kuli, deklaron se së shpejti do të nisë zbatimi në mënyrë që kategoritë e riskut të kenë mbrojtje më të mirë ndaj varianteve të Covid-19.

“Kemi vendosur që të rekomandojmë dozën e tretë për grupmoshat mbi 60 vjeç dhe për personat me sëmundje të caktuara kronike. Ne kemi rekomanduar që të dalë protokolli i gatshëm për të gjithë detajet për kontingjentet që do të bëjnë dozën e tretë, lloji i vaksinës, afatet kohore dhe kombinimet e ndryshme”.

Komiteti ka dalë me rekomandimin për vaksinimin e fëmijëve mbi 12 vjeç, që kanë probleme bashkëshoqëruese. “Është hedhur ideja për vaksinimin e fëmijëve mbi 12 vjeç, por që kanë sëmundje me imunitetin, probleme kronike apo sëmundje të caktuara, për të cilët rekomandohet vaksina nga mjeku kurues”, shpjegon Kuli.

Ekspertja tregon për vaksinat që do të përdoren për dozën e tretë, ku nuk përjashtohen as kombinimet. “Kemi bërë skenarë dhe kombinacione të lejueshme. Kështu, të moshuarit që kanë marrë dy dozat Coronacav mund ta marrin dozën e tretë Pfizer ose Coronavac sërish. Ndërsa për fëmijët është lëne vaksina Pfizer, pasi deri tani studimet për këto grupmosha i kemi me këtë vaksinë”.

Vaksina e tretë do të nisë sipas një kalendari të përcaktuar, e fillimisht do të përfshihen mjekët, arsimtarët dhe punonjësit e policisë.

Personat mbi 60-vjeç, si dhe ato mbi 12 vjeç që kanë probleme shëndetësore. Një vendim i tillë u paralajmërua një ditë më parë nga ana e Siliva Binos, ekspertja e Shërbimit Epidemiologjik në ISHP. Ajo tha se kjo dozë do të nisë të aplikohet për personat mbi 60 vjeç dhe ata me imunitet të ulët.

“Komiteti është mbledhur ditën e premte dhe do të aplikohet edhe doza e tretë bazale për personat me imunitet të ulët, ata që kanë bërë transpalante, ne kemi bërë dhe studime këtu. Personat mbi 60 vjeç do të vaksinohen me dozën booster. Personat që kanë dëmtime të imunitetit do të kenë një përqasje tjetër”, tha Bino.

Ndërkohë, Bino tha se po shikohet edhe përdorimi i vaksinës tek personat mbi 16 vjeç, tashmë i miratuar në SHBA për vaksinën Pfizer.

“Personat mbi 16 vjeç do të vaksinohen. Nuk më takon të them vendimet e komitetit. Nuk po themi që do të vaksinohen me detyrim. Janë problem që do diskutohen. Nuk merren vendimet menjëherë. Nën 18 vjeç janë fëmijë dhe përgjigjet prindi dhe lidhet me dakordësinë e prindit”, tha Bino.