RTSH 24 Live

Art

Shqipëria në Bienalen e Venecias

21/05/2021

Shqipëria në Bienalen e Venecias

Shqipëria merr pjesë në Bienales së Arkitekturës 2021 që po zhvillohet në Venecia, bienale që vitin e kaluar nuk u zhvillua për shkak të pandemisë. Dhe tema e bienales se vitit te kaluar "Si do të jetojmë këtej e tutje?" pas pandemise e kuratorit Hashim Sarkis u risoll për këtë vit. 
Dhe Shqipëria i përgjigjet pyetjes së Bienales me projektin "Në shtëpinë tonë. Për fqinjësinë dhe bashkëjetesën". Një stil minimalist, me katër muret e shtëpisë, vizatimin bardh e zi të gjithë arredimit edhe ky thuajse i njëjtë në çdo shtëpi, e brenda këtyre katër mureve jeta jepet nëpërmjet filmave, videove të shkëputura prej tyre, që tregojnë bashkejetesën tonë në komunitet. 
Janë përzgjedhur çaste me shembuj kuptimplotë nga filmat "Taulanti kërkon një motër", "Në shtëpinë tonë" dhe "Edhe ashtu edhe kështu", që dëshmojnë besnikërisht atë traditë të fqinjësisë së mirë që me zhvillimin e zmadhimin e qyteteve nuk është më si më parë. Por ende ruhet jo pak aty ku edhe njerëzit janë më pak e kësisoj kanë mundësi të njihen e afrohen më shumë. Por edhe foto në formë kartolinash kujtimet e një kohe kur fqinji hapte derën dhe zemrën dhe jetohej si në një familje të madhe. 
Arkitektë të huaj u shprehën për pavijonin e Shqipërisë se "Fqinji është i rëndësishëm sepse na bën të ndiejmë fuqinë e të jetuarit bashkë. është unike tradita që keni. Mos e humbni Mos e humbni. Ruajeni traditën e përkujdesjes për njëri-tjetrin! Është një artikulim shumë i fortë pavijoni i Shqipërisë i konceptit  të të ndarit të mjediseve së bashku. Është shumë e bukur, unike fqinjësia që keni, gjë shumë e bukur. Edhe fëmijët rriten më bukur së bashku!".

Më poshtë raportimi ekskluziv nga Venecia i të dërguarve të RTSH gazetares Magdalena Alla dhe kameramanit Spiro Nasto.