RTSH 24 Live

Aktualitet

Shqipëria 14 vite në NATO, politika shqiptare vlerëson ngjarjen e shënuar

01/04/2023

Shqipëria 14 vite në NATO, politika shqiptare vlerëson ngjarjen e shënuar

Shqipëria shënon 14 vjetorin e anëtarësimit në NATO. Ajo u anëtarësua zyrtarisht në aleancë më 1 prill 2009. 

Më 4 Prill 2009 Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl, ndërsa më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Presidenti Bajram Begaj, lidhur me këtë ditë të rëndësishme në historinë e vendit, shkruan se Shqipëria është krenare që kontribuon për paqen dhe sigurinë. 

“14 vjet Shqipëria në NATO! Krenarë që jemi pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në botë! Krenarë që jemi kontribues për paqen dhe sigurinë”, shkruan presidenti Begaj.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla në mesazhin me rastin e 14-vjetorit të kësaj ngjarjeje shkruan se "..Shqipëria është një anëtar aktive e Aleancës, një kontribuese e vendosur e paqes, stabilitetit dhe sigurisë, në rajon e në botë. Përkushtimi dhe kontributi i Shqipërisë është vlerësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e partnerët  tanë strategjikë. Krenarë për kontributin e Shqipërisë për mbrojtjen e paqes dhe rritjen e sigurisë!”, shkruan kryeparlamentarja Nikolla.

Shqipëria ka ofruar kontributin e saj në operacionet ndërkombëtare të paqes të drejtuara nga NATO, por edhe nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB). 

Ajo është bërë pjesë e dhjetëra operacioneve dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Irak dhe Afganistan, ndërsa gjatë 12 viteve si pjesë e Aleancës, Ushtria e Shqipërisë është përfshirë në një proces transformimi dhe modernizimi, që nga personeli dhe deri te pajisjet dhe mjetet ushtarake.

 

/ rtsh.al /