Shqipëria dhe Mali i Zi do të kenë edhe një pikë të re kufitare të përbashkët. Qeveria shqiptare ka çuar në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të R.SH dhe Qeverisë së Malit të Zi, për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit Kufitar Shën Nikolla- Pulaj, për qarkullimin rrugor ndërkombëtar dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.
Projektligji tashmë është nisur për shqyrtim e miratim në Kuvend.
Hapja e pikës kufitare të Pulaj është pjesë e planit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi që, deri në vitin 2024, së bashku të ndërtojnë një urë mbi lumin Buna, e cila do të lidhë Ulqinin - komunën më jugore të Malit të Zi dhe vendpushimin e Velipojës në Shqipëri.
Projekti është prezantuar muaj më parë nga kryeministri i Malit të Zi dhe ai i Shqipërisë, Dritan Abazoviq dhe Edi Rama, gjatë samitit të “Ballkanit të Hapur” në Ohër.
Sipas projektit, ura mbi lumin Buna do të lidhë vendbanimet Shën Nikolla në Ulqin dhe Pulaj mbi Velipojë. Këtij projekti i shërben dhe hapja e pikave të përbashkëta kufitare që qeveria shqiptare i ka propozuar Kuvendit.
Gjatësia e urës do të jetë 310 metra, ajo do të ketë dy korsi të gjera më pak se katër metra dhe do të përfshijë trotuare dhe rrugë për biçikleta.
/rtsh.al/