RTSH 24 Live

Europë

Shpërthen depozita me karburante në Itali, të paktën 2 viktima, të tjerë të plagosur

09/12/2024

Shpërthen depozita me karburante në Itali, të paktën 2 viktima, të tjerë të plagosur

Dy persona kanë humbur jetën, tre janë zhdukur dhe 9 të tjerë janë plagosur në Firence të Italisë si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në rafinerinë e naftës në pronësi të kompanisë energjetike ENI.

Sipas mediave italiane, shpërthimi u ndje në të gjithë vendbanimet përreth, përfshirë qendrën e qytetit të Firences.

Banorëve brenda pesë kilometrave nga çisternat e naftës iu tha të qëndronin në shtëpi dhe të mbyllin dyert e dritaret për shkak të rrjedhjes së mundshme të gazit e karburantit.

Megjithatë autoritetet njoftuan se e kishin vënë situatën nën kontroll dhe se nuk kishte më rrezik të një shpërthimi tjetër.

Ata thanë se po punojnë për të zbuluar shkakun e shpërthimit, ndërsa kompania ENI tha përmes një deklarate se shpërthimi në rafinerinë në Calenzano ishte shkaktuar nga zjarri në një cisternë karburanti.

Zona ku ndodhej rafineria është e njohur si një zonë industriale ku ka mjaft biznese dhe ndërmarje të cilat zhvillojnë aktivitetin e tyre aty.

Kryeprokurori i Pratos, Luca Tescaroli, tha se kishte hapur një hetim penal për të konstatuar çdo përgjegjësi.

Ndërsa, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu ngushëllimet e saj familjeve të viktimave dhe i uroi shërim të shpejtë të plagosurve

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/