RTSH 24 Live

Politikë

Shpërblimi i pensionistëve/ Rama nxjerr vendimin: Nuk shkelet Kodi Zgjedhor, të ardhurat vijnë nga taksat ndaj eksportuesve të energjisë

01/04/2023

Shpërblimi i pensionistëve/ Rama nxjerr vendimin: Nuk shkelet Kodi Zgjedhor, të ardhurat vijnë nga taksat ndaj eksportuesve të energjisë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas qëndrimeve të ndryshme mbi iniciativën e qeverisë për shpërblimin e pensionistëve me 50 mijë lekë të vjetra.

Sipas Ramës, taksa që qeveria u ka vendosur eksportuesve të mëdhenj të energjisë do t’u shpërndahet pensionistëve në këtë muaj.

Kur thosha do të vendosim taksë të jashtëzakonshme për eksportuesit e mëdhenj të energjisë dhe do t’ua shpërndajmë pensionistëve në prill, ata që ju e dini kush janë, bërtisnin ky është tatimi i jashtëzakonshëm komunist.

E bëri BE-ja, e tha edhe këtu Ursula Von Der Leyen që po, kjo është diçka krejt e drejtë në këtë kohë krize dhe e mbyllën përkohësisht gojën”, shkruan Rama në rrjetin social në Facebook.

Kreu i qeverisë thekson gjithashtu se me shpërblimin e pensionistëve nuk shkelet as Kodi Zgjedhor pavarësisht se kjo iniciativë e tij përkon me 2 muaj para zgjedhjeve vendore të 14 majit.

“Pastaj e hapën prapë gojën, duke u qarë hallin pensionistëve se i mashtroi Edi Rama dhe se s’do merrnin asgjë, po kur e dëgjuan që kjo do të ndodhte siç ishte premtuar, u hodhën përpjetë se po shkelej Kodi Zgjedhor! Krejt e pavërtetë, si zakonisht kur ata hapin gojën”, shkruan më tej Rama.

Sipas Ramës, kjo është një tjetër masë lehtësuese ndaj kategorisë së pensionistëve pas Pakos së Madhe.

Por ja ku prilli erdhi dhe taksa e jashtëzakonshme mbi fitimet e rëna nga qielli i luftës në arkën e eksportuesve të mëdhenj të energjisë, do të fillojë t‘u shpërndahet pensionistëve, si pjesa më e prekur nga pesha e luftës, po edhe më dinjitozja në qëndresën e saj përballë vështirësive të kohërave.

Kjo është një tjetër masë lehtësuese për ta pas Pakos së Madhe, po nuk është e fundit, sepse ne nuk bëjmë dot sa duam për më të moshuarit, por nuk do të lemë kurrë pa bërë gjithçka mundemi”, përfundon kryeministri Rama.

/rtsh.al/