RTSH 24 Live

Politikë

Shkaktuan kaos në Kuvend, përjashtohen 6 deputetë të opozitës me Berishën në krye

06/12/2023

Shkaktuan kaos në Kuvend, përjashtohen 6 deputetë të opozitës me Berishën në krye

6 deputetë të opozitës duke nisur nga Sali Berisha, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Albana Vokshi, Elda Hoti dhe Edi Paloka janë përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit.

Ky vendim vjen për shkak të përplasjes dhe rrëmujës në seancën e kaluar plenare ku u ndezën edhe flakadanë.

Kërkesa për përjashtimin e tyre është firmosur nga 7 deputetë të Partisë Socialiste.

Sipas kësaj kërkese bëhet e ditur se Sali Berisha bllokoi foltoren, Gazment Bardhi ofendoi deputetin socialist Petro Koçin dhe Edi Paloka tentoi ta godiste atë.

Deputeti Bardhi tentoi t'i merrte kartën nga pajisja elektronike deputetit Petro Koçi gjatë kohës që po mbante fjalën. Gjithashtu pranë deputetit Koçi u afrua edhe deputeti Edi Paloka i cili tentoi ta godiste. Deputeti Sali Berisha pengoi zhvillimin e rregullt të seancës plenare duke zaptuar foltoren e Kuvendit, duke shkaktuar kaos në sall fyer deputetët dhe drejtuesen e seancës”, shkruhet në kërkesën e PS-së.

Gjithashtu kërkesa evidenton se deputetët Flamur Noka, Albana Vokshi dhe Elda Hoti ishin protagonistët kryesorë që rrezikuan edhe jetën e deputetëve me djegien e fletëve apo ndezjen e flakadanëve.

 “Deputeti Flamur Noka ndezi disa flakadanë duke shkaktuar kaos dhe rrëmujë në sallë. Njërin prej flakadanëve e hodhi në drejtim të Kryetares së Kuvendit. Situata agravoi edhe më tej në momentin kur Noka i vuri flakën disa herë letrave dhe i vendosi tek karriget që ishin vendosur për të bllokuar foltoren, duke rrezikuar kështu jetën e deputetëve dhe të stafit në sallë. Gjithashtu deputetja Elda Hoti e ndihmuar edhe nga deputetja Vokshi ndezën disa flakadanë ku disa prej tyre i vendosën poshtë karrigeve mbi foltore”, shpjegohet më tej në kërkesën e PS.

Të 6 deputetët nesër nuk do të mund të jenë të pranishëm në seancën e ardhshme ku do të miratohet nen për nen buxheti 2024.

Emrat e deputetëve që u përjashtuan

Sali Berisha

Gazment Bardhi

Flamur Noka

Edi Paloka

Elda Hoti

Albana Vokshi