RTSH 24 Live

Botë

Shirat e dendur vazhdojnë të godasin shtetet e Gjirit

18/04/2024

Shirat e dendur vazhdojnë të godasin shtetet e Gjirit

Shirat e dendur vazhduan të godasin shtetet e Gjirit, duke shkaktuar përmbytje vdekjeprurëse dhe duke ndërprerë fluturimet në aeroportin e dytë më të ngarkuar në botë, njofton BBC.

Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait paralajmëroi për kushte shumë të vështira dhe këshilloi disa pasagjerë që të mos paraqiteshin për shkak të zonave të përmbytura me ujë.

Më në veri, një burrë vdiq kur makina e tij u mbyt nga shirat e furishëm.

Në Oman, ekipet e shpëtimit gjetën trupin e një vajze në Saham, duke e çuar numrin e të vdekurve në vend në 19 që nga e diela.

”Të mërkurën, rreth 300 fluturime për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait u anuluan dhe qindra të tjerë u vonuan”, sipas të dhënave të Flight Aware.

Aeroporti, i cili vitin e kaluar shërbeu më shumë se 80 milionë pasagjerë, i dyti vetëm pas Atlantës në Shtetet e Bashkuara, paralajmëroi se rimëkëmbja do të marrë “disa kohë”.

Të mërkurën ai këshilloi që të mos vizitoni Terminalin 1 pa konfirmim nga linjat ajrore dhe të shmangni udhëtimin në aeroport.

”Emirates”, një linjë ajrore kryesore ndërkombëtare me bazë në Dubai, ka pezulluar check-in për pasagjerët që nisen nga qyteti deri të enjten.

Autoritetet kanë paralajmëruar se priten stuhi të tjera, shira të dendur dhe erëra të forta, me shumë zona të ulëta ende nën ujë.

( Sipas ATSH )

/ rtsh.al /