RTSH 24 Live

Botë

Shefi i inteligjencës turke: Turqia po përpiqet t’i jepet fund luftës në Gazë dhe Ukrainë

17/09/2024

Shefi i inteligjencës turke: Turqia po përpiqet t’i jepet fund luftës në Gazë dhe Ukrainë

Shefi i inteligjencës turke, İbrahim Kalın ka deklaruar se Turqia do të vijojë përpjekjet e saj të diplomacisë për t'i dhënë fund si sulmeve vdekjeprurëse të Izraelit në Rripin e Gazës dhe luftës Rusi-Ukrainë.

Duke folur në një sesion gjatë Konferencës së Sigurisë në Baku të mbajtur në Azerbajxhan më 14-15 shtator, Kalın theksoi nevojën urgjente të vendosjes së një armëpushimi për të ndalur armiqësitë në Gaza, të cilat kanë rezultuar në vdekjen e mbi 40,000 palestinezëve.

Ai tha se arritja e paqes së qëndrueshme mund të realizohet vetëm përmes përfundimit të okupimit izraelit dhe zbatimit të zgjidhjes me dy shtete, sipas burimeve të sigurisë.

Kalın nënvizoi rëndësinë e krijimit të një shteti të pavarur palestinez, duke vënë në dukje se siguria dhe liria janë të drejta themelore të popullit palestinez.

Ai theksoi gjithashtu se Turqia do të vazhdojë në diplomacinë e saj të shumanshme të inteligjencës, publike dhe të fshehtë, për të zgjidhur konfliktet në Ukrainë dhe Gazë.

Kalın pohoi gjithashtu se zgjidhja e luftës Rusi-Ukrainë duhet të përfshijë krijimin e një arkitekture të re sigurie të bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Deklaratat e Kalın erdhën pas takimit të tij me drejtuesit e Byrosë politike të Hamasit në kryeqytetin Ankara për të diskutuar zhvillimet e fundit në negociatat izraelito-palestineze për armëpushim.

Diskutimet u përqendruan gjithashtu në "hapat konkretë që mund të ndërmerren për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza, ku po shpaloset një krizë humanitare", si dhe lehtësimin e dërgimit të më shumë ndihmave humanitare në rajon.

Gjatë fjalimit të tij në konferencën në Baku, shefi i inteligjencës turke nënvizoi domosdoshmërinë e një marrëveshjeje përfundimtare të paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për të siguruar stabilitet dhe zhvillim në Kaukaz.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje midis Armenisë dhe Azerbajxhanit ka të bëjë edhe  për rritjen e lidhjeve përgjatë rrugës Azerbajxhan-Armeni-Nakhçivan-Turqi-Evropë, duke përfshirë Korridorin Zangezur, ndërsa shtoi se hapja e korridorit do të rrisë ndjeshëm lidhjen rajonale.

Ai vlerësoi përpjekjet e Azerbajxhanit për të normalizuar kushtet në Karabak pas rimarrjes së rajonit nga kontrolli armen gjatë një konflikti 44-ditor në vitin 2020.

/rtsh.al/