RTSH 24 Live

Aktualitet

SHBA trajnon 32 oficerë të Policisë Gjyqësore, ambasada amerikane: I shërben edhe më mirë zbatimit të ligjit

24/04/2024

SHBA trajnon 32 oficerë të Policisë Gjyqësore, ambasada amerikane: I shërben edhe më mirë zbatimit të ligjit

SHBA, një nga mbështetësit kryesorë të reformës në drejtësi, ka trajnuar 32 oficerë të policisë gjyqësore në vendin tonë.

Ky trajnim është kryer në bashkëpunim mes DASH dhe Policisë së Shtetit, në mënyrë që këta oficerë të jenë të përgatitur me aftësitë e duhura hetimore lidhur me krimet më të shpeshta të kryera në vendin tonë.

32 oficerët e Policisë Gjyqësore janë nga 12 qarqe të Shqipërisë, ku ambasada amerikane thekson se kjo do i shërbej edhe më mirë zbatimit të ligjit.

“Ekipi i ambasadës për çështjet e zbatimit të ligjit bashkëpunoi me Akademinë Shqiptare të Sigurisë dhe Policinë e Shtetit për të trajnuar 32 Oficerë të Policisë Gjyqësore nga 12 rrethe në të gjithë vendin. Ekipi i ambasadës mori pjesë dje në ceremoninë e diplomimit të Kursit të Hetimit të Krimit. Kursi është krijuar për të zhvilluar një sërë aftësish hetimore për krimet më të shpeshta të raportuara. Kursi u mbështet nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, Programi Ndërkombëtar i Ndihmës së Trajnimit për Hetimet Penale (ICITAP) së bashku me Departamentin e Shtetit të SHBA, Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) në Tiranë. Ky është sesioni i katërt në një seri kursesh të hetimit penal të planifikuar për vitin 2024 për të certifikuar disa qindra oficerë të Policisë Gjyqësore në hetimet e krimit. Që nga viti 2005, ICITAP ka pasur një partneritet të gjatë me Akademinë e Sigurisë duke kontribuar në trajnimin dhe zhvillimin profesional të Policisë së Shtetit”, shkruan ambasada amerikane në facebook.

SHBA është një nga promotorët e drejtësisë së re, ku objektivat kryesore edhe të ambasadës së saj në Tiranë është pikërisht lufta ndaj pandëshkueshmërisë ndaj krimit dhe korrupsionit.

/rtsh.al/