RTSH 24 Live

Kosovë

SHBA pret themelimin e asociacionit, O’Brien tha në Serbi se Kosova ka premtuar themelimin e bashkësisë së komunave serbe    

20/04/2024

SHBA pret themelimin e asociacionit, O’Brien tha në Serbi se Kosova ka premtuar themelimin e bashkësisë së komunave serbe    

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Xhejms O'Brajen tha nga Beogradi se Kosova ka premtuar se do të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Uashingtoni pret që ky premtim të realizohet. 

“Kosova premtoi se do ta zbatojë detyrimin për themelimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe dhe kjo është e një rëndësie kyçe për serbët. Nëse ka shqetësim se komuniteti ndërkombëtar nuk po përmbush angazhimet për të ndihmuar në këtë çështje, unë shpresoj që ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të ndihmuar në përmbushjen e premtimit ndaj vetes dhe të tjerëve. Politika ndërkombëtare ndaj serbëve në Kosovë qëndron në themelimin e Asociacionit” tha zoti O’Brien.
 
Ndërsa presidenti serb Vuçiq tha se ndonëse me zyrtarin e lartë amerikan kanë pikëpamje të ndryshme për sa i takon Kosovës, ata pajtohen në një pikë, pikërisht për Asociacionin.

“Shpreh mirënjohje ndaj O’Brajen që tha fuqishëm se Prishtina duhet të themelojë Asociacionin, një detyrim që vazhdon prej 11 vitesh. Prishtina dhe europianët po na gënjejnë. Serbët kanë përmbushur të gjitha premtimet nga Marrëveshja e Brukselit, që përcaktohen edhe në Marrëveshjen e Ohrit. Probleme të reja po i imponohen popullatës serbe, duke filluar me heqjen e dinarit” tha president i Serbisë Vuçiq.

Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2013 dhe në 2015 paktin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.


Gazetare Vjollca Zharri


/ rtsh.al /