SHBA dhe Izraeli kanë hedhur poshtë planin arab për rindërtimin e Rripit të Gazës paslufte që do të lejonte 2.1 milionë palestinezët që jetojnë atje të qëndrojnë në vendin e tyre.
Propozimi, i miratuar nga liderët arabë në një samit në Kajro parashikon tjetër alternativë ndaj idesë së Presidentit Donald Trump që SHBA të marrë përsipër Gazën dhe të zhvendosë përgjithmonë popullsinë e saj.
Autoriteti Palestinez dhe Hamasi mirëpritën planin arab, i cili kërkon që Gaza të qeveriset përkohësisht nga një komitet ekspertësh të pavarur dhe që paqeruajtësit ndërkombëtarë të vendosen atje.
Por si Shtëpia e Bardhë ashtu edhe Ministria e Jashtme izraelite thanë se nuk arritën të adresonin realitetet në Gazë dhe i qëndrojnë vizionit të Trumpit.
Samiti u zhvillua mes shqetësimeve në rritje se marrëveshja e brishtë e armëpushimit të Gazës mund të dështojë pasi faza e parë gjashtë javore përfundoi të shtunën e kaluar.
Izraeli ka bllokuar ndihmat për t'i bërë presion Hamasit që të pranojë një propozim të ri të SHBA-së për një zgjatje të përkohshme të armëpushimit, gjatë të cilit do të liroheshin më shumë pengje të mbajtura në Gazë në këmbim të të burgosurve palestinezë.
Hamasi ka këmbëngulur se faza e dytë duhet të fillojë siç është rënë dakord, duke çuar në përfundimin e luftës dhe një tërheqje të plotë të trupave izraelite.
Plani arab prej 53 miliardë dollarësh për rindërtimin e Gazës pasi të përfundojë lufta u prezantua nga Egjipti në një samit urgjent të Ligës Arabe të martën.
Në deklaratën pas miratimit të planit theksohet “refuzimi kategorik i çdo forme të zhvendosjes së popullit palestinez”, duke e përshkruar një ide të tillë si "një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar, një krim kundër njerëzimit dhe spastrim etnik".
Plani parashikon që rindërtimi të bëhet në tre faza dhe të zgjasë pesë vjet, gjatë të cilit rreth 1.5 milionë banorë të Gazës do të zhvendosen në 200,000 njësi banimi të parafabrikuara dhe 60,000 shtëpi të riparuara.
/rtsh.al/