RTSH 24 Live

Aktualitet

Sezoni turistik, Policia e Shtetit rrit masat e sigurisë në plazhe kundër trafiqeve, personave në kërkim dhe ndotjes akustike

10/06/2023

Sezoni turistik, Policia e Shtetit rrit masat e sigurisë në plazhe kundër trafiqeve, personave në kërkim dhe ndotjes akustike

Policia e Shtetit forcon masat e sigurisë në të gjithë gjatësinë e vijës bregdetare, lidhur me sezonin turistik. Për këtë qëllim Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, ka zhvilluar një takim me strukturat e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin.

Ai ka kërkuar që me rastin e sezonit turistik, policia duhet të ofrojë shërbim sa më cilësor ndaj qytetarëve, lidhur me sigurinë detare për pushuesit në plazhe, ndotjen akustike, parandalimin e krimeve kufitare, kontrollin më të mirë të kufirit tokësor, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe për parandalimin e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, emigrantëve nga vendet e treta.

Sipas tij, duhet të rritet e vigjilencës në raste fluksi për kapjen e shtetasve në kërkim apo për parandalimin e paligjshmërive, si dhe rritja e standardit të integritetit të trupës policore që shërben në pikat e kalimit kufitar.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar nga drejtuesit e Policisë Kufitare, marrjen e menjëhershme të masave shtesë për të siguruar një shërbim sa më cilësor, duke krijuar lehtësira në lëvizje, nisur nga trendi i rritjes së fluksit të turistëve dhe vizitorëve që përditë e më shumë, po vijnë në vendin tonë, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar, ajror, detar dhe tokësor.

“Përzgjedhja e një personeli sa më të kualifikuar, është domosdoshmëri, pasi Policia Kufitare është pika e parë e kontaktit të turistëve dhe vizitorëve, me vendin tonë, dhe në këtë aspekt, duhet të jetë një trupë shërbimi e mirëtrajnuar, e shkolluar dhe e përkushtuar. Rritje të vigjilencës në kohë fluksesh, pasi, sipas marrëveshjeve respective, pothuajse në të gjitha pikat e kalimit tokësor të rajonit, shpesh aplikohet procedura e përshpejtuar, dhe në këtë aspekt, shtetas në kërkim apo elementë të ndryshëm kriminal, që ushtrojnë veprimtari në fushën e trafikimit të armëve, drogës dhe automjeteve, si dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm, mund të përfitojnë për të realizuar qëllimin e tyre kriminal.”- ka theksuar Rrumbullaku.

Sipas tij, duhet rritur bashkëpunimi me homologët respektivë për lëvizje të njëtrajtshme dhe për shkëmbim informacioni, për shtetas me tendenca kriminale në fushën e krimeve kufitare.

Sipas njoftimit për shtyp, drejtori ka kërkuar që Njësia Detare e krijuar për sigurinë në plazhe, të veprojë në kohë dhe me profesionalizëm, si dhe të sigurohet informacion nga patrullimet tokësore dhe ato në vijën bregdetare, me qëllim parandalimin e ngjarjeve që cënojnë sigurinë e pushuesve.

“Gjithashtu, kërkohen masa të menjëhershme në koordinim me policitë vendore në qarqe, për ndotjen akustike, për sekuestrimin e pajisjeve që gjenerojnë muzikë në kundërshtim me ligjin, si dhe për ndëshkimin ligjor për pronarët dhe administratorët e hoteleve dhe lokaleve që krijojnë ndotje akustike, në dëm të banorëve dhe të pushuesve.”- ka theksuar Rrumbullaku.

Drejtori i Përgjithshëm ka paralajmëruar drejtuesit e Policisë Kufitare se në rast të mospërmbushjes së këtyre objektivave, nuk do të ketë thjeshtë masa administrative të largimit nga detyra, por do të ketë ndjekje penale për shpërdorim të detyrës, për cilindo që nuk i përgjigjet ritmit dhe kërkesave të reja të bazuara në organigramën e re të Policisë së Shtetit, sipas të cilës Policia Kufitare merr më shumë përgjegjësi në drejtim të parandalimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare.

/rtsh.al/