RTSH 24 Live

Rajon

Serbia dënon kryetarin e Komunës së Preshevës sepse vendosi flamurin kuqezi në ditën e Pavarësisë

18/04/2024

Serbia dënon kryetarin e Komunës së Preshevës sepse vendosi flamurin kuqezi në ditën e Pavarësisë

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi është dënuar nga Serbia me 55 mijë dinarë, për shkak se vendosi flamurin shqiptar në ditën e Pavarësisë në selinë e partisë së tij, Alternativa për Ndryshim, dega Bujanoc.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Shqipërim Arifi shkruan se, ky vendim është pjesë e kolazhit diskriminues dhe shkeljeve të drejtave sistematike individuale, kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Deri kur? 55.000 dinarë dënim për vendosjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar. Sot kam pranuar dënimin prej 55.000 dinarë nga Gjykata për Kundërvajtje në Vranjë lidhur me vendosjen e flamurit kombëtar në selinë e Alternativës për Ndryshim — dega Bujanoc, me rastin e festës së 28 nëntorit, ditës së Flamurit”shkruan ai.

Sipas asaj që ai shkruan në rrjetet sociale, thuhet se, “Gjykata në fjalë ka nxjerr AKTVENDIM lidhur me vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar në selinë e partisë tonë në Bujanoc, me ç ‘rast ky dënim përbëhet prej 5000 dinarëve ndaj mua si person përgjegjës në pozitën e kryetarit të partisë "Alternativa për Ndryshim", ndërkaq 50.000 dinarë për subjektin politik që kam drejtuar deri në shkurt të këtij viti, kur është datuar edhe ky aktvendim”.

Ai shton se ndërsa Kosova është në fazën finale për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shqiptarëve të Luginës së Preshevës i mohohen të drejtat elementare njerëzore  siç është vendosja e flamurit kombëtar.

 

/rtsh.al/