Vijon operacioni “Pakot”, falë së cilit 7.3 kg kokainë u sekuestruan në Portin e Durrësit dhe dy persona, ndër të cilët pronari dhe drejtuesi i furgonit, ranë në pranga. Policia ka bërë me dije se ka shpallur në kërkim 37-vjeçarin Fatbardh Çuni, i cili dyshohet se do të priste lëndën narkotike në Angli.
“Në vijim të punës hetimore për dokumentimin e rastit të tentativës për të trafikuar 7.3 kg kokainë, nga porti i Durrësit drejt Anglisë, Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, kanë thelluar hetimet për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Si rezultat i hetimeve u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit F. C., 37 vjeç, i cili dyshohet se do të priste lëndën narkotike, në Angli”, thuhet në njoftim.
Dy ditë më parë një sasi droge prej 7 kilogramë e 300 gramë u zbulua në Portin e Durrësit.
Droga ishte fshehur në pjesën e poshtme të sediljes së një furgoni me targa angleze, ndërsa u kap në momentin që po kalonte pikën e kalimit kufitar drejt Italisë.
Personat e arrestuar u identifikuan si Arjan Doçi 38 vjeç, shoferi i furgonit dhe Mentor Çuni 39 vjeç, pronari i furgonit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 kilogramë e 300 gramë lëndë narkotike kokainë, 4 celularë, fugoni, 3950 euro, 21 700 lekë, 150 korona suedeze dhe 60 franga.
Vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Ndërkohë, po bashkëpunohet ngushtësisht me autoritetet ligjzbatuese dhe homologët e Britanisë së Madhe, për të bërë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
/rtsh.al/