RTSH 24 Live

Ekonomi

Sejko: Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rënie të ndjeshme dhe të shpejtë

08/05/2024

Sejko: Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rënie të ndjeshme dhe të shpejtë

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka konstatuar se “inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rënie relativisht të ndjeshme dhe më të shpejtë se pritjet tona gjatë tre muajve të parë të vitit," njoftoi guvernatori i përgjithshëm Gent Sejko. 

Inflacioni mesatar i tremujorit të parë zbriti në nivelin 2.7% nga niveli 3.9% i tremujorit paraardhës. Nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste, ndonëse në rënie, mbeten relativisht të larta. Këto presione ushqehen nga kërkesa solide për mallra e shërbime, kërkesë e cila pasqyrohet në rritje të shpejtë të punësimit, të pagave dhe të kostove të prodhimit të sektorit privat. 

Sipas z. Sejko, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.25%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.25%, të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.25%.

Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është konsistent me pritjet tona të skenarit bazë dhe i përshtatshëm për garantimin e stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm”, tha zoti Sejko.

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se balanca e përgjithshme e presioneve inflacioniste po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit. Megjithatë, presionet inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten ende relativisht të larta. Në këtë kontest, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit,” tha Sejko.

/ rtsh.al /