Kancelari gjerman Olaf Scholz, koalicioni qeverisës i të cilit ra muajin e kaluar, ka kërkuar një votëbesim në parlament këtë të hënë, që sipas gjasave do ta humbasë. Procesi synon t’i hapur rrugë shpërbërjes së Bundestagut dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme më 23 shkurt, 7 muaj para zgjedhjeve të rregullta.
Kancelari 66-vjeçar synon një mandat të dytë në ato zgjedhje, por Friedrich Merz, kandidati kryesor i aleancës konservatore të opozitës CDU-CSU i ish-kancelares Angela Merkel, është shumë përpara në sondazhet e opinionit.
Gara politike vjen në një kohë kur ekonomia kryesore e Evropës po lufton për të ringritur industrinë e saj, ndërsa përballet me çmime të larta të energjisë dhe konkurrencë të fortë nga Kina.
Socialdemokratët e Scholzit kanë 207 deputetë në Bundestag, ndërsa aleati i mbetur në koalicion Të Gjelbërit kanë 117. Kjo nënkupton se Qeveria e Scholzit nuk e gëzon shumicën në Parlamentin me 733 ulëse.
Votëbesimi është i nevojshëm sepse Kushtetuta e Gjermanisë nuk e lejon Parlamentin të shpërbehet vetvetiu. Nëse Scholz humbet votëbesimin siç edhe pritet, i takon Presidenti Frank-Walter Steinmeier të shpërndajë parlamentin dhe më pas të shpallë zyrtarisht datën e dakordsuar të zgjedhjeve më 23 shkurt 2025.
/rtsh.al/