Saranda, perla e Jugut, nga viti në vit po kthehet në një prej destinacioneve më të bukura për të kaluar festat e fundvitit.
Nënkryetari i bashkisë, Florjan Sali, u shpreh se me rastin e festave edhe këtë vit kanë organizuar një Treg Krishtlindjesh dhe shumë aktivitete për këdo që zgjedh qytetin bregdetar.
"Vitin e kaluar 'Christmas Market' u kthye në një nga eventet më të suksesshme, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë. Rivjen këtë vit me disa gjetje të reja, por edhe të mirorganizuara, që do të mbushin më së miri gjithë këtë periudhë me aktivitete," thotë z. Sali, nënkryetar i bashkisë së Sarandës.
Ndër të tjera Sali bëri me dije se Saranda nuk ka qenë e frekuentuar vetëm gjatë sezonit të veror, por edhe tani në stinën e dimrit, kur vijnë turistë nga mbarë bota.
"Tashmë nuk është më ajo Saranda e periudhës verore, por është kthyer në trend për festat e fundvitit. Trendi sa vjen e përmirësohet. Vitin e kaluar ka pasur një bum aktivitetesh, por edhe këtë vit po vëmë re që është goxha i frekuentuar," shprehet nënkryetari.
Ky qytet është një nga qytetet bregdetare më tërheqëse dhe të kërkuara ,nga turistë vendas por kryesisht të huaj,të cilët duan të shijojnë cdo gjë të bukur që ofron Saranda.
Gazetare: L. Fili
/rtsh.al/