RTSH 24 Live

Botë

Samiti i G20 në Brazil, liderët botërorë diskutime mbi luftën ndaj varfërisë dhe ndryshimet klimatike

5 orë para

Samiti i G20 në Brazil, liderët botërorë diskutime mbi luftën ndaj varfërisë dhe ndryshimet klimatike

Tensionet diplomatike mbi ngrohjen globale pritet të mbizotërojnë në negociatat e samitit të G20 në Brazil këtë javë, ndërsa burime thonë se 20 ekonomitë kryesore botërore kanë arritur një lloj konsensusi për financimin e klimës që u diskutua edhe gjatë bisedimeve në samitin e OKB-së në Azerbajxhan.

Krerët e shteteve mbërritën në Rio de Zhaneiro të dielën, ndërsa në dy ditët në vijim do të trajtojnë çështje nga lufta kundër urisë dhe varfërisë deri te reformat e institucioneve globale.

Pjesë e bisedimeve të liderëve, por jo e samitit, pritet të jetë edhe mënyra se si do të trajtohet konflikti i përshkallëzuar në Ukrainë, pas sulmeve vdekjeprurëse ajrore të Rusisë.

Presidenti i SHBA Joe Biden po merr pjesë në samitin e tij të fundit të ekonomive kryesore të botës, ndërsa vëmendja e liderëve botërorë tashmë është rikthyer tek rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Figurë kyçe e samitit të G20 në Rio  pritet të jetë edhe presidenti kinez Xi Jinping. Ndërsa Moska përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Sergei Lavrov. 

Presidenti i majtë i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva pritet të theksojë mbështetjen për çështjet e Jugut Global dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike. Brazili po kërkon gjithashtu taksa më të larta për miliarderët.

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u bëri thirrje anëtarëve të G20, që përbëjnë 80 për qind të emetimeve globale, të tregojnë lidership dhe dakordësi për të lehtësuar një marrëveshje për ndryshimet klimatike. 

Në samitin e fundit të G20-ës në Indi, liderët botërorë kërkuan trefishim të burimeve të rinovueshme të energjisë deri në fund të dekadës, por pa bërë thirrje në mënyrë eksplicite për t'i dhënë fund përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/