RTSH 24 Live

Politikë

Salianji dhe Çyrbja në burg, betohen deputetët e rinj Andrea Mano dhe Erjon Meka

31/10/2024

Salianji dhe Çyrbja në burg, betohen deputetët e rinj Andrea Mano dhe Erjon Meka

Andrea Mano dhe Erjon Meka janë betuar sot në Kuvend, përkatësisht si deputetë të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Mano dhe Meka morën mandatin e deputetit pas dënimit me burg të Ervin Salianjit dhe Jurgis Çyrbjas.

Salianji po vuan dënimin në burgun e Fierit pasi Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për dënimin e tij me 1 vit burg, nën akuzën për “Kallëzim të rremë” mbi çështjen “Babale”. Ndërsa Jurgis Çyrbja u arrestua dhe u la në burg, pasi akuzohet për bashkëpunim dhe favorizim të bandave kriminale.

Në seancën e sotme, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka u shpreh se Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin shqyrtoi vendimet e KQZ-së për dhënien e mandatit të deputetit për Andrea Nesti Manon e PD-së, kandidat në Korçë, dhe Erjon Shërbet Mekën e PS-së në Durrës. Pas verifikimit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, rezultoi se nuk ka asnjë paligjshmëri në zgjedhje që t’i pengojë për të bërë betimin në seancën plenare.

Ndërkaq, Kuvendi disa ditë më parë njoftoi zyrtarisht Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, se mandatet e deputetëve Salianji dhe Çyrbjas kanë përfunduar në mënyrë të parakohshme pas dënimit të tyre me burg. 

/rtsh.al/