Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte njoftoi se manovrat vjetore ushtarake të aleancës së mbrojtjes që përfshijnë armë bërthamore do të zhvillohen të hënën.
“Është thelbësore që ne të testojmë mbrojtjen tone. Kundërshtarët e aleancës e dinë se NATO është e gatshme dhe e aftë t’i përgjigjet çdo kërcënimi” tha Rutte.
Shefi i ri i NATO-s ishte duke vizituar kryeministrin britanik Keir Starmer në Londër kur bëri njoftimin.
Ai u takua gjithashtu me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky atje.
Sipas Rutte, stërvitja e quajtur “Steadfast Noon” do të përfshijë më shumë se 60 avionë dhe do të zhvillohet kryesisht në hapësirën ajrore të Britanisë së Madhe, Detit të Veriut, Belgjikës dhe Holandës.
Rutte vlerësoi Britaninë për kontributin që forcat e saj të armatosura japin në parandalimin bërthamor të aleancës.
NATO nuk ka dhënë detaje rreth stërvitjes dhe skenarit që përfshin.
Sipas ekspertëve ushtarakë, manovrat përdoren për të praktikuar se si të transportohen në mënyrë të sigurt armët bërthamore amerikane në tokën evropiane nga vendet e magazinimit nëntokësor në avionë dhe t’i montojnë ato nën avionë luftarakë.
Marrëveshja e NATO-s për ndarjen bërthamore kërkon që armët bërthamore të SHBA të vendosen në Evropë dhe të hidhen nga avionët e shteteve partnere në rast emergjence.
Megjithëse nuk është konfirmuar zyrtarisht, armët bërthamore amerikane dihet se ruhen në veri të Italisë, Turqisë, Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë.
/ rtsh.al /