RTSH 24 Live

Televizion

RTSH dhe Autoriteti i Dosjeve, nis puna në praktikë për bashkëpunimin në disa drejtime

26/06/2024

RTSH dhe Autoriteti i Dosjeve, nis puna në praktikë për bashkëpunimin në disa drejtime

RTSH dhe Autoriteti i Dosjeve hedhin hapin e dytë të madh drejt konsolidimit të bashkëpunimit dhe nisjes së punës edhe në praktikë.

Drejtuesja e këtij institucioni Gentiana Sula, vizitoi ambientet e Televizionit Publik ku diskutoi më konkretisht me drejtorin e RTSH-së, Alfred Peza duke detajuar në letër edhe disa nga temat më të forta të bashkëpunimit.

Do të ishim shumë të interesuar për pasurimin e programacionit të të gjitha kanaleve me subjekt punën, por dhe veprimtarinë në institucionin tuaj në këndvështrimin e kujtesës dhe të rishikimit të së shkuarës nën këndvështrimin dhe nën optikën e sotme. E dyta sa i përket digjitalizimin të Arkivës, qoftë edhe vetëm të këtij fondi do të ishte sërish një ndihmë shumë e madhe për ne. E treta pastaj është për pjesën e prodhimit të cikleve, të dokumentarëve apo të specialeve e të tjera”, u shpreh Peza.

Titullarja e Autoritetit, vizitoi disa nga ambientet e Radio Televizionit Publik duke u informuar për metodën e punës dhe hapat konkretë në lidhje me bashkëpunimin që synon të shpluhurosë historinë e pa treguar dhe për ta sjellë atë në formatin modern që RTSH e ofron me cilësi të lartë.

“Nuk ka partner më serioz dhe kompetent se Radio Televizioni Publik, për vetë burimet që ka, arkivat, misioni ku një prej tyre nuk është vetëm arkëtimi, por edhe edukimi. Për vetë potencialet që ka: ka një RTSH Shkollë, bën dokumentar dhe kthehem sërish tek arkiva e cila është 80-vjeçare radiofonike, 60-vjeçare televizive. U hodhën ide të rëndësishme sepse televizioni tani është duke organizuar programacione për sezonin e ardhshëm dhe fare mirë mund të zënë vend ide të konsoliduara tashmë të Autoritetit sikurse është Klubi i Librit me ditarë, gjithmonë të komentuar me dokumente. Nuk zëvendësojmë dot punën që bën RTSH, por duke bërë punën tonë duke ofruar familje, njerëz të prekur me specialistë, eksperte dhe me platforma që janë këtu në RTSH të bëjmë të mundur të potenciojmë zërin e tyre. Trajnimi i gazetarëve, jo vetëm të RTSH-së, por edhe me gjerë me mënyrën sesi lexohen dokumentet e sigurimit të shtetit, të bashkëpunohet edhe me praktikën, të shkojmë edhe në terren, pra të jemi më konkretë”, tha Sula.

Disa nga pikëtakimet e tjera të bashkëpunimit mes Autoritetit të Dosjeve dhe RTSH janë organizmi i Klubit të Librit edhe në rrethe, bashkëpunimi për projektet e autoritetit por edhe organizimi i konkurseve për historinë.

/rtsh/