RTSH 24 Live

Lindja e Mesme

Rrjedhja e informacioneve sekrete trondit politikën izraelite

03/11/2024

Rrjedhja e informacioneve sekrete trondit politikën izraelite

Rrjedhja e dokumenteve të klasifikuara sekret mbi Gazën që përfshin ndihmësin e kryeministrit Benjamin Netanjahu ka tronditur politikën izraelite si dhe ka zemëruar familjet e pengjeve që mbahen  nga Hamasi, të cilët kanë kërkuar një marrëveshje për t'i kthyer të afërmit e tyre në shtëpi.

Një prej gjykatave izraelite që po shqyrton çështja tha se burimet e sigurisë ishin komprometuar dhe mund të ketë dëmtuar përpjekjet e Izraelit për lirimin e pengjeve.

"Informacionet e klasifikuara dhe të ndjeshme të inteligjencës u morën në mënyrë të paligjshme nga sistemet e IDF (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit)”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Magjistraturës Rishon Le-Zion, e cila shton se mund të jetë shkaktuar "dëm serioz në sigurinë e shtetit dhe ka shkaktuar rrezik për burimet e informacionit”.

Sipas gjykatës rrjedhja e informacioneve mund të ketë dëmtuar përpjekjet për lirimin e pengjeve.

Netanjahu ka mohuar çdo keqbërje nga punonjësit e zyrës së tij dhe tha se ai ishte vënë në dijeni për dokumentin e zbuluar vetëm nga media.

Katër të dyshuarit - njëri zëdhënës nga rrethi i Netanjahut dhe tre prej tyre anëtarë të institucionit të sigurisë – nuk kanë pranuar të flasin.

Detajet nga dokumenti në fjalë u publikuan nga gazeta gjermane Bild më 6 shtator, sipas gazetës izraelite Haaretz.

Artikulli, i etiketuar si ekskluziv, supozohet se përshkruan strategjinë e negociatave të Hamasit, grupit militant islamik palestinez që Izraeli ka luftuar në Gazë për më shumë se një vit.

Rreth asaj kohe, Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti po ndërmjetësonin bisedimet e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, që do të përfshinin një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbajtura në Gazë.

Lufta në Gazë shpërtheu pasi militantët e udhëhequr nga Hamas sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng 251, sipas të dhënave izraelite.

Ofensivat hakmarrëse të Izraelit kanë vrarë më shumë se 43,000 palestinezë dhe kanë e shndërruar pjesën më të madhe të Gazës në gërmadha.

/rtsh.al/