Shtetet e Bashkuara i vendosën veton të mërkurën një projekt-rezolute të OKB-së që parashikonte një armëpushim të menjëhershëm të luftës në Gaza. Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi me 14 vota pro dhe 1 kundër për projekt-rezolutën e propozuar nga 10 anëtarë jo të përhershëm të Këshillit prej 15 anëtarësh, por ajo nuk u miratua për shkak të vetos së SHBA-së.
Dokumenti i paraqitur për votim “kërkonte një armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm që të respektohej nga të gjitha palët, dhe më tej përsëriste kërkesën e saj për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve”.
Rezoluta gjithashtu kërkoi raporte nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres mbi zbatimin e saj dhe një vlerësim gjithëpërfshirës të nevojave për Gazën brenda 90 ditëve. Duke u kërkuar të gjitha palëve që t’i përmbahen ligjit ndërkombëtar humanitar, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës civile, ajo gjithashtu kërkoi zbatimin e Rezolutës 2735 të Këshillit të Sigurimit, e cila përfshin dispozita për pengjet, të burgosurit palestinezë dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.
Ndryshe nga pesë anëtarët e përhershëm SHBA, Rusia, Kina, Britania dhe Franca anëtarët e zgjedhur nuk kanë të drejtë vetoje. Kjo është hera e katërt që Uashingtoni vendos veton ndaj projektrezolutave të Këshillit të Sigurimit që kërkojnë armëpushim urgjent në Gaza. SHBA-ja i vuri veton rezolutave në tetor 2023, dhjetor 2023 dhe në shkurt, ndërsa abstenoi në votime për projektrezoluta të tjera. Ndërkohë, Forcat izraelite raportohet se vranë këtë të mërkurë të paktën 17 palestinezë në enklave, përfshirë një punëtor të ekipeve të kërkim-shpëtimit.
/RTSH/