Izraeli do të ofrojë një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për këdo që ndihmon në lirimin e një pengu izraelit që mbahet nga Hamas në Rripin e Gazës.
Mediat e huaja raportojnë se njoftimi u dha nga vetë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë vizitës së tij në Rripin e Gazës këtë të martë (19 nëntor 2024).
"Kushdo që sjell një peng do të gjejë një mënyrë të sigurt që ai dhe familja e tij të dalin (nga Gaza). Ne gjithashtu do të japim një shpërblim prej pesë milionë dollarësh për çdo peng",- raporohet të ketë thënë Netanyahu.
Netanyahu shprehu vlerësimin e tij për vendosmërinë dhe profesionalizmin e komandantëve dhe luftëtarëve në terren, si dhe për arritjet e tyre në eliminimin e forcës ushtarake të Hamasit.
Forcat izraelite "po bëjnë një punë të mrekullueshme këtu," tha ai. "Këtu, në qendër të Rripit dhe në të gjitha pjesët e Rripit, ata kanë arritur rezultate të shkëlqyera në qëllimin tonë të rëndësishëm - Hamasi nuk do të sundojë Gazën. Ne po eliminojmë aftësitë e tij ushtarake në një mënyrë shumë mbresëlënëse."
/rtsh.al/