RTSH 24 Live

Ekonomi

Rritja ekonomike/ Ministri Mete dhe guvernatori Sejko diskutojnë zhvillimet

22/09/2023

Rritja ekonomike/ Ministri Mete dhe guvernatori Sejko diskutojnë zhvillimet

Ekonomia shqiptare ka pasur një performancë të mirë në këtë periudhë dhe parashikimet janë që të ketë rritje ekonomike edhe në një afat 1-vjeçar.

Rol kyç në rritjen ekonomike ka luajtur sektori i shërbimeve, turizmit dhe ndërtimit.

Këto vlerësime janë dhënë në takimin që ministri i Financave, Ervin Mete, zhvilloi me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Ata diskutuan mbi zhvillimet e fundit ekonomike, bashkëpunimin mes dy institucioneve, si edhe pritshmëritë për të ardhmen.

Ministri Mete dhe guvernatori Sejko vlerësuan se ekonomia e vendit ka treguar qëndrueshmëri në përballjen me goditjet e njëpasnjëshme që nga tërmeti, pandemia dhe kriza e energjisë si pasojë e luftës në Ukrainë.

Ministri theksoi rëndësinë e përshpejtimit të investimeve publike për të stimuluar më tej zhvillimin ekonomik të vendit.

Tregu i punës vazhdon të mbetet i fortë, me papunësinë në nivele më të ulëta historike dhe punësimin e pjesëmarrjen në rritje.

Politika fiskale mbetet e kujdesshme për uljen e rreziqeve të financimit dhe prioritizimin e shpenzimeve publike me impakt për vendin.

Palët diskutuan mbi pritshmëritë në lidhje me inflacionin dhe efektet e tij në ekonomi, si edhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë për kthimin e inflacionit në nivelet e synuara nga politika monetare.

Çështje të tjera diskutimi në takim ishin ecuria dhe masat për stabilizimin e kursit të këmbimit, nxitja e kreditimit, avancimi me sistemin e pagesave etj.

Gazetare: Teuta Shamku

/rtsh.al/