RTSH 24 Live

Aktualitet

Rritja e çmimeve, Meta paralajmëron: Situata e vështirë për buxhetet familjare pritet të rëndohet

29/09/2022

Rritja e çmimeve, Meta paralajmëron: Situata e vështirë për buxhetet familjare pritet të rëndohet

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka shprehur shqetësimin për rritjen e çmimeve. Meta paralajmëroi se situata e vështirë për buxhetet familjare do të rëndohet si rezultat i vendimit për rritjen e çmimit të energjisë. Sipas Metës, kjo situatë nuk zgjidhet me paketa propagandistike, por me masa konkrete efektive.

Rënia e konsumit si rezultat i çmimeve të larta është sinjal alarmi për vështirësinë ku gjendet ekonomia dhe familjet shqiptare!  Trendi shqetësues i rënies së konsumit vijon për të tetin muaj radhazi, ndërsa siç INSTAT deklaron volumi i  mallrave në portet shqiptare për muajin gusht 2022 është 40% më pak krahasuar me muajin gusht të vitit 2021.

Situata paraqitet e vështirë për buxhetet familjare, të cilat priten të rëndohen edhe më tej si rezultat i vendimit absurd për rritjen e çmimit të energjisë. Kjo situatë nuk zgjidhet me paketa propagandistike, por me masa konkrete efektive.

Indeksimi i pagave, heqja e taksës së qarkullimit, si dhe liberalizimi i lejeve për energjinë diellore janë disa nga nismat ligjore të Partisë së Lirisë, qëllimi i të cilave është në funksion të përballimit të kësaj situate të vështirë për të mbrojtur interesin publik dhe familjet shqiptare”, shkruan Meta në rrjetin social Facebook.

/rtsh.al/