RTSH 24 Live

Ekonomi

Rritet numri i fermerëve të pajisur me numër NIPT-i

08/06/2024

Rritet numri i fermerëve të pajisur me numër NIPT-i

Numri i fermerëve të pajisur me numër NIPT-i është rritur në vendin tonë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave në Regjistrat e Biznesit, për vitin 2023 në shkallë vendi numëron 96 mijë e 440 fermerë të pajisur me Numër Identifikimi të Personit të Tatueshëm.

Me bazë vjetore numri i fermerëve me NIPT është rritur me 14.3 përqind.

Gjithashtu nga të dhënat e INSTAT rezulton se 57 % e fermerëve e ushtrojnë aktivitetin ekonomik në ferma mikse dhe në kultivimin e perimeve.

Ndërkohë, 11.2% e totalit rezulton se janë fermerë ose drejtuese gra. Numri më i lartë i fermerëve të formalizuar, regjistrohet në Lushnjë, me 10 mijë e 253 fermerë, ose 10.6% e totalit të fermerëve aktivë të pajisur me NIPT.

Divjaka vjen e dyta pas Lushnjës me 5 mijë e 187 fermerë të regjistruar dhe më pas Berati me 4 mijë e 800 fermerë.

Ndërkohë që dy qarqet me numrin më të ulët të fermerëve të pajisur me numër NIPT-i janë Durrësi 2.342 dhe Kukësi 1.483.

Pajisja me numër është rritur si rrjedhojë e rritjes së kërkesës konsumatore, por nga ana tjetër, po aplikohen një sërë programesh subvencionuese që kanë në fokus jo vetëm mbështetjen e fermerëve, por edhe nxitjen e investimeve të reja në sektor për të cilat numri i NIPT-tit është i detyrueshëm.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/