RTSH 24 Live

Ekonomi

Rriten çmimet e bulmetit, prodhuesit: Ndikon mungesa e lëndës së parë si dhe çmimi i karburantit

24/01/2023

Rriten çmimet e bulmetit, prodhuesit: Ndikon mungesa e lëndës së parë si dhe çmimi i karburantit

Çmimi i nënprodukteve të qumështit ka pësuar një rritje nga 10-20% në tregun me pakicë. Kjo situatë, sipas prodhuesve të këtyre nën produkteve, ka ardhur si pasojë e disa faktorëve, ku ata rendisin uljen e numrit të krerëve të bagëtive, çka ka bërë që lënda e parë, të sigurohet më me vështirësi si dhe rritjen e çmimit të karburantit duke shtuar kostot e transportit të prodhimit.

Për konsumatorin, çmimet me të cilat këto produkte të konsumit të përditshëm tregtohen, janë të larta.Çmimi i djathit të lopës në treg shkon deri në 800 lekë, i deles 900 lekë, i dhisë 1 mijë lekë, kaçkavalli rreth 1 mijëdhe 1200 lekë, gjalpi i lopes 900 deri në 1300 lekë ai i dhisë, etj. Nga viti i kaluar, kryesisht djathi dhe kaçkavalli janë shtrenjtuar me 100 deri në 200 lekë më tepër.

Ulja e numrit të krerëve të bagëtive ka prekur gjithë Qarkun e Korçës. Pas censusit të fundit të kryer nga Shërbimi Veterinar, rezultoi se ka një ulje me rreth 3% për gjedhin dhe rreth 7% për bagëtitë e imta. Kjo vjen për disa arsye, si plakja e popullsisë rurale e në pamundësi për t’i shërbyer kafshëve, i kanë shitur bagëtitë, si edhe si pasojë e interesit të pakët nga të rinjtë për të investuar në sektorin e blegtorisë.

/rtsh.al/