RTSH 24 Live

Kulturë

Rrëfimet e Lek Tasit, Qendra e Artit fton piktorin për krijimtarinë e tij artistike

28/02/2024

Rrëfimet e Lek Tasit, Qendra e Artit fton piktorin për krijimtarinë e tij artistike

Qendra e Artit, e cila është një qendër e re e shtuar në Akademinë e Shkencave, ka nisur veprimtarinë e plotë duke promovuar veprat e artistëve elitarë.

I ftuari i kësaj radhe ishte piktori dhe shkrimtari i njohur Lek Tasi, i cili ka bërë një rrëfim të rrallë mbi jetën dhe krijimtarinë e tij.

Tasi ka rrëfyer momentet më kulminante të jetës, raportin me babain, si dhe momentet e persekutimit të familjes, e cila e shenjoi jo pak si person dhe ndikoi në krijimtarinë e tij artistike.

"Ajo që e quajta freski e rinisë dhe adoleshencës e mban të gjallë edhe krijimin," u shpreh autori.

Në çdo fazë të jetës piktura e ka shoqëruar piktorin, megjithatë ndryshim rrënjësor ai pati në momentin e internimit, kur mori formën e dramaticitetit.

"Edhe më vonë nuk kam krijuar cikle të caktuara, por ndërlidhen njëra me tjetrën sipas shkrepjes që më vinte," tha piktori.

Tasi ka qenë edhe violonçelist në orkestrën e radios dhe Teatrit të Operës përpara se të internohej në vitin 1975 së bashku me familjen në Grabjan. Ai iu rikthye më shumë penelit dhe shkrimeve pas ardhjes në Tiranë në vitin '90.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/