RTSH 24 Live

Aktualitet

Rivarrosen 5 Dëshmorë të Atdheut, Balla: Policia e Shtetit të fitojë sa më shumë besimin e publikut

03/05/2024

Rivarrosen 5 Dëshmorë të Atdheut, Balla: Policia e Shtetit të fitojë sa më shumë besimin e publikut

Policia e Shtetit duhet të forcojë përpjekjet e të rritë e konsolidojë rezultatet, për të fituar sa më shumë besimin e publikut. Ky ishte apeli i ministrit të Brendshëm Taulant Balla, në ceremoninë e rivarrimit të 5 Dëshmorëve të Atdheut, ish-punonjës të Policisë të rënë në detyrë vite më parë. Ata janë Lulzim Sadikaj, Selman Lena Zylfi Sulmataj, Qazim Duka dhe Edmont Çuka.

"Jemi në vitin mbarëkombëtar të 80-Vjetorit të Çlirimit, ku Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, organizojnë këtë ceremoni rivarrimi në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, ku kanë rënë heorikisht në krye të detyrës e janë sot në altarin e kombit, duke përmbushur njëherësh, një detyrim ligjor që ishte harruar për të prehur në Varrezat e Dëshmorëve, këta heronj” tha zoti Balla.

Ai shtoi se Policia e Shtetit është organizata që gjatë këtyre 33 viteve e ka paguar me shtrenjtë vendosjen e rendit dhe sigurisë publike.

"Humbja e dëshmorëve nuk është shkaktuar nga pushtues të huaj dhe kjo na bën të gjithëve të reflektojmë, shoqërinë të reflektojë, për domosdoshmërinë e përkujtimit të veprës së tyre. Reflektimi nuk duhet të vijë vetëm nga shteti, por mbi të gjitha nga shoqëria ", u shpreh kreu i Ministrisë së Brendshme.

Balla foli gjithashtu për nevojën për rritje të mbështetjes për familjet e të rënëve, të cilët kanë nevojë për strehim, punësim, përkujdesje shtetërore për fëmijët e të rënëve.

"Më vjen mirë të konstatoj që sondazhet publike, tregojnë një rritje të vazhdueshme të mbështetjes ndaj Policisë së Shtetit dhe ndaj gjitha masave apo operacioneve që ka ndërmarrë Policia e Shtetit. Më vjen mirë po ashtu të ndaj edhe rezultatet me publikun, i cili mbetet një partner i besueshëm i qytetarëve, por edhe agjencive ligjzbatuese. Në vitin 2023 ne shënuam së bashku rezultate tepër të mira, por gjatë këtij viti duhet të vazhdojmë t’i konsolidojmë këto rezultate, sepse vetëm kështu ata që na shohin nga lart, Dëshmorët e Atdheut të ndihen krenarë për punën që po bëjmë në emër të tyre", e mbylli fjalën e tij, ministri Balla.

/ rtsh.al /