RTSH 24 Live

Politikë

Rithemelimi proteston pa Berishën para Kryeministrisë, Noka dhe Bardhi drejtojnë tubimin

20/02/2024

Rithemelimi proteston pa Berishën para Kryeministrisë, Noka dhe Bardhi drejtojnë tubimin

Grupi i Rithemelimit që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur protestën përpara Kryeministrisë ku janë mbledhur demokratë të shumtë që prej orës 17:30.

Demokratët që janë rreshtuar në grupimin politik që drejton ish-kryeministri Berisha protestojnë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke zgjedhur edhe ditën e sotme, 20 shkurtin, që përkon me rrëzimin e bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha.

Ndërkaq, vlen të përmendet fakti se kjo protestë nuk drejtohet direkt nga ish-kryeministri Berisha pasi ky i fundit ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa mësohet se ai do të ketë një lidhje online me protestuesit ku edhe do të mbajë fjalën e tij.

Megjithatë, në krye të protestës së sotme janë Flamur Noka dhe Gazment Bardhi, ky i fundit i rikthyer te grupimi i Berishës, pasi u largua nga grupimi politik i Lulzim Bashës. Ata shoqërohen nga deputetët që i përkasin Rithemelimit të Berishës.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama nuk ndodhet në zyrën e tij dhe as në Shqipëri pasi po zhvillon një vizitë në Turqi, ku ditën e sotme është pritur nga presidenti turk Rexhep Taip Erdoan.

Nënkryetari i “Rithemelimit” hap protestën/ Boçi: Sot vijmë si një zë i vetëm kundër Ramës

Nënkryetari i “Rithemelimit” Luçiano Boçi, ka mbajtur fjalën hapëse në protestën e opozitës, duke thënë se sot janë më të bashkuar se kurrë kundër pushtetit, sic tha ai të korruptuar të Edi Ramës.

Boçi u shpreh se  për të rrëzuar qeverinë dhe kryeministrin Rama nuk duhet të dorëzohen, por të vazhdojnë në betejën e tyre.

“Ajo që na ka sjellë këtu nuk është vetëm historia dhe lavdia e rrëzimit të diktaturës së Enver Hoxhës, por është e sotmja, është dëshira e qytetarit për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës. Ai që na ka thirrur në këtë protestë është ai grushti i mbledhur i intelektualit që kamxhikohet nga regjimi, është zemërimi i biznesit të madh dhe të vogël që i ngushtohet laku në fyt nga taksat. Është revolta e të rinjve, është ai fermeri që vajton produktin e vet, është ofshama e atij pensionistit që pret lëmoshën e tij, është ajo drama e qytetarit shqiptar jeta e të cilit është një udhëtim dantesk drejt ferrit. Sot ne vijmë të bashkuar si një zë i vetëm kundër pushtetit të korruptuar të Edi Ramës.

Jemi të bashkuar në një qëndresë, duhet të vazhdojmë, të mos gjunjëzohemi dhe të mos dorëzohemi. Pushteti i korruptuar i Ramës mbështetet mbi frikën dhe apatinë. Ato mposhten me guximin dhe vendosmërinë tonë.

Ai që është larguar këto godina i blindon dhe i mbyll, na takon ne ti shembim ato porta, ti hapim ato porta, sepse duke hapur ato porta i korruptuar kryeministër do gjendet pas hekurave. Vetëm kështu do bëjmë drejtësi”, tha Luçiano Boçi.

Noka: Ky shesh do të paracaktojë fundit e qeverisë Rama. Nuk ndalemi deri sa t’i sigurojmë votën e lirë.

Sekretari i Përgjithshëm i “Rithemelimit”, njëkohësisht deputeti i kësaj partie, Flamur Noka, e ka nisur fjalën e tij duke thënë se , “ky moment do të hyjë në histori me këtë vërshim madhështor, i cili ka si qëllim të ndërpresë, projektin më të errët, skenarin më të zi që i është kanosur vendit në këto 33 vite, planin ogurzi të Edi Ramës kundër pluralizmit”.

Sipas tij,  Charles McGonigal loboi për të shpallur non grata Sali Berishën dhe se në dosjen e tij, kryeministri Edi Rama rezulton edhe korruptues edhe i korruptuar.

Duke treguar bindjen e tij se kjo ditë do të mbahet mend gjatë, Noka tha se, “një person që qeveris prej 11 vitesh, që ka kapur të gjitha pushtetet, që blen votat, që ndanë pasuritë e vendit, që është në krye të çdo afere, që u jep miliona euro familjarëve, që udhëton si sheik me avion nga taksat tuaja, që bën një kopsht këtu 4 milionë euro. I bën thjesht jo për ju por për tekat personale. Sot me këtë vërshim madhështor, ky person është i vetmi që është i trishtuar sepse nuk ia doli dot të shkatërronte opozitën, ëndrrës për mbretërim”.

“Vëllezër, edhe pse na burgosi liderin tonë, me një proces politik dhe banditësh dhe fund e krye pa prova, jemi për t’i thënë Edi Ramës se opozita është këtu. Edhe pse përdori McGonigal për non gratën politike të Sali Berishës, përsëri Edi Rama nuk ia doli të na nënshtrojë. Në atë dosje Rama rezulton edhe korruptues edhe i korruptuar. Ndaj i themi nuk të njohim më për kryeministër”, deklaroi ai.

“Jemi këtu për t’i thënë se ky shesh do të paracaktojë fundit tënd. Këta njerëz janë dëshmitar që ti jo vetëm do humbësh privilegjet dhe zyrën, por që për ty do të nisë një periudhë e keqe, e papërballueshme. Do të japësh llogari për çdo cent që u ke vjedhur shqiptarëve. Sot jemi për t’i thënë se pushteti është i njerëzve, ndaj asnjë institucion që ti mundohesh të kontrollosh, nuk do dalë dot mbi pushtetin e njerëzve. Jemi sot më të bashkuar se kurrë, siç e keni kërkuar ju prej kohësh. Ne nuk ndalemi deri sa t’i sigurojmë vendit votën e lirë”, tha ndër të tjera deputeti Flamur Noka.

 

Bardhi: Bashkimi ynë, na jep kurajo për t’u bërë forca udhëheqëse e vendit

Në fjalën e tij gjatë protestës së Rithemelimit, Gazment Bardhi, i rikthyer te grupimi i Berishës, pasi u largua nga ai i Lulzim Bashës u shpreh se ka ardhur koha që të kemi një opozitë të vërtetë, që nuk ushtron pushtetin për të blerë, përçarë dhe shpërbërë opozitën.

Bardhi tha se sot jemi bërë bashkë, si e vetmja mundësi për të mposhtur qeverisjen Rama e cila sipas tij po shkatërron të ardhmen e fëmijëve, familjeve shqiptare dhe vendit.

Ne duam të ndërtojmë një shtet që respekton dhe nuk shkel të drejtat e qytetarëve! Që nuk ushtron pushtetin për të blerë, përçarë dhe shpërbërë opozitën!

Ne duam një qeveri që punon për të pasuruar shqiptarët dhe jo pushtetarët! Duam një qeveri të përkushtuar ndaj rinisë, jo të lidhur kokë e këmbë me krimin dhe oligarkët, që kanë zhdukur ekonominë e lirë, sipërmarrrjen e ndershme, që sjell zhvillim të vërtetë!

Sot, ne vërtetë jemi në opozitë. Vërtetë kemi kaluar momente të vështira, ndonjëherë jo të denja për të qenë në lartësinë tuaj, të dashur demokratë dhe qytetarë! Por ne sot kemi me vete pasurinë më të madhe që mund të ketë një forcë politike opozitare: ne kemi me vete kurajon tuaj! Kemi dinjitetin tuaj! Kemi dëshirën tuaj për të luftuar dhe vullnetin tuaj për të fituar!

Sot ne jemi bërë të gjithë bashkë, si e vetmja rrugë, si e vetmja mundësi për t’u përballur me të keqen. Në këto 10 vite ne e kemi provuar se e keqja e vendit ka emrin e kryeministrit të Shqipërisë, aleatit kryesor të krimit, që po shkatërron para syve tanë të ardhmen e fëmijëve dhe familjeve shqiptare, të ardhmen e vendit.

Përtej fasadës, përtej propagandës së qeverisë, janë dy botë të ndryshme, të destinuara të qëndrojmë përballë njëra-tjetës.

Njëra është bota juaj, bota jonë, bota e njerëzve të lirë të këtij vendi që nuk dorëzohen! Që duan ndryshimin, që e duan Shqipërinë një vend të zhvilluar, vendin e mundësive të barabarta për të gjithë.

Përballë nesh qëndron Edi Rama në botën e tij, që mbjell vetëm korrupsion, krim, varfëri, pabarazi, shpopullim“, shpreh Bardhi.

 

Berisha: Sot në sheshin Skënderbej ne nuk kemi shtatoren e bronzit të diktatorit stalinist, por para nesh qëndron shtatorja e gjallë e diktatorit Edi Rama

Ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili prej 30 dhjetorit ndodhet në arrest shtëpie, ka përshëndetur protestën e thirrur nga opozita sot nëpërmjet një fjalimi të regjistruar në ambientet e shtëpisë së tij, ku po respekton vendimin e GJKKO-së.

Fjala e Sali Berishës.

Të dashur qytetare dhe qytetarë, të nderuar qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë të shpresës dhe të ardhmes së Shqipërisë.

Zonja dhe zotërinj, uragani juaj sonte është uragani i lirisë.

Përshëndetjet më të përzemërta për ju që jeni mbledhur, keni mbushur sot Tiranën nga anekënd Shqipëria, nga të gjitha vendet e botës.

Fitimtarë, fitimtarë, fitimtarë.

Zonja dhe zotërinj, 20 shkurti është një ditë në të cilën shqiptarët kremtojnë ngadhënjimin e tyre.

Çdo vit më 20 shkurt kemi nderuar një ditë, e cila ndau historinë tonë. Ndau epokën e barbarisë së luftës së klasës, tiranisë së mjerimit dhe izolimit ekstrem nga epoka e triumfit të njerëzve më të shtypur të Europës dhe ndëshkimit mbarëpopullor pas vdekjes së Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore.

Duke përmbysur në Tiranë shtatoren e tij, zvarritur e copëtuar në rrugët e kryeqytetit, nderim përjetë guximtarëve, trimave, heronjve të 20 shkurtit për veprën e tyre të pavdekshme.

Por sot, për herë të parënë 32 vite, ky 20 shkurt eklipson për nga rëndësia atë të vitit 1991 sepse sot nuk kemi përpara simbolet e një diktature të bazuar në doktrinën marksiste-leniniste, por përballemi me një lloj të re diktature, e cila bazohet në aleancën e pushtetit me krimin, në shndërrimin e votës në krim dhe krimit në votë, vjedhjen e lemerishme të qytetarëve nga pushtetarët dhe trafikun e qindra tonelatave drogë dhe narkoeuro.

Sot në sheshin Skënderbej ne nuk kemi shtatoren e bronzit të diktatorit stalinist, por para nesh qëndron shtatorja e gjallë e diktatorit Edi Rama, pasardhësit të bllokmenëve hoxhistë, që njëlloj si diktatori tjetër, ka përqendruar në duart e tij të gjitha pushtetet dhe që do një Shqipëri pa opozitë, dhe që vjedh qytetarët shqiptarë, vret shpresën e tyre më shumë se askush në historinë tonë kombëtarë.

Gjatë sundimit 10-vjeçar të tij, si kurrë ndonjëherë më parë, 1 milion shqiptarë u larguan nga Shqipëria dhe integrimi evropian i vendit u shndërrua në një horizont që largohet çdo ditë e më shumë nga shqiptarët.

Por sot kjo ditë, për ju, për shqiptarët, është ditë besimi dhe guximi.

 

Erisa Xhixho i drejtohet protestës: Ky shesh i lirisë dhe i guximit si ortek do kthehet në shpresë

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka mbajtur sot njw fjalw rasti në protestën e opozitës para Kryeministrisë, duke theksuar se Shqipëria është e 8-ta në botë për largimin e trurit.

Ndërsa 36 mijë të rinj largohen nga Shqipëria çdo vit, Xhixho tha se 23 mijë pensionistë shtohen në skemën e pensioneve.Kjo qeveri grabiti pasuritë publike dhe private duke mbushur xhepat e oligarkëve”, tha Xhixho.

Ndaj th ajo, ne jemi sonte këtu për të ringjallur shpresën dhe për ta mbrojtur atë nga të korruptuarit e pushtetit të korruptuar. Ne jemi sonte këtu për të dëshmuar se jemi të gjithë bashkë për një qëllim të madh. Qëllimi ynë është një dhe vetëm një, për të bërë të qartë se mbi interesin vendit dhe të popullit, mbi interesat kombëtare nuk ka asnjë interes apo individ që të mund të na dominojë apo të na e errësojë perspektivën drejt fitores.

Misioni ynë është i madh, është i shenjtë dhe i panegociueshëm; është largimi i të keqes që përfaqëson pushteti i korruptuar dhe kriminal i inceneratorëve, pushteti i arrogancës dhe i grabiqarëve. Kauza jonë e madhe lindi 32 vjet më parë, kur forca e popullit shkuli nga themelet e rrëzoi përtokë diktaturën komuniste nën thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe kjo kauzë është sot më aktuale se kurrë” tha ajo.

Ndaj theksoi ajo, “sot të jesh opozitar do të thotë të kesh dinjitet e të kesh respekt për veten, të jesh opozitar do të thotë të kesh guxim, shumë guxim. Por ky shesh i lirisë dhe i guximit sot si ortek do kthehet në shpresë, çlirim dhe zgjidhje për gjithë shqiptarët”.

 

 

 

/rtsh.al/