RTSH 24 Live

Ekonomi

Rindërtimi i linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit, miratohet marrëveshja me BERZH-in

25/09/2024

Rindërtimi i linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit, miratohet marrëveshja me BERZH-in

Qeveria shqiptare miratoi të mërkurën marrëveshjen e grantit për projektin e rindërtimit të linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit, mes saj dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kjo marrëveshje mbështetet nga fondi i përbashkët evropian për Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshja e grantit prej 136 milionë euro u nënshkrua më 26 korrik të këtij viti në Tiranë.

Në muajin mars, qeveria shqiptare kishte nënshkruar një tjetër marrëveshje edhe me Bankën Europiane të Investimeve, një tjetër partner i rëndësishëm për projektin madhor të rindërtimit të linjës hekurudhore që parashikohet të ketë një kosto prej 356 milionë eurosh.

Ky investim është pjesë e strategjisë së BE-së për ta shtrirë rrjetin trans-europian të transportit të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Linja hekurudhore e rinovuar do të nxisë udhëtimet brenda vendit, turizmin ndërkombëtar, si dhe do të mbështesë zhvillimin e përgjithshëm socio-ekonomik të Shqipërisë.

Kjo linjë do të reduktojë ndikimin mjedisor të transportit të mallrave dhe të pasagjerëve, falë elektrifikimit të saj.

Investimi do të mundësojë elektrizimin e më shumë se 120 kilometrave binarë dhe rinovimin e 12 stacioneve treni, përfshirë sisteme të reja sinjalizimi, si dhe do të përmirësim të sigurisë. Kjo do të mundësojë udhëtime më të sigurta dhe më të shpejta me shpejtësi funksionimi deri në 100 km/h.

Hekurudha Vorë-Hani Hotit kalon në shtatë bashki dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga Jugu në Veri. Hekurudha lidh qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut.

Ky projekt do të përfundojë brenda vitit 2030.

/ rtsh.al /